Rreth Artikullit

Autori

Çfarë e pengon njohjen e Çështjes Çame…!?

 

Kur u shfaqën në jug të Shqipërisë, inicialet e para të UÇÇ-së (Ushtria Çlirimtare e Çamërisë) pala greke për herë të parë u ndje e frikësuar në sigurinë e saj. Kishin kaluar pak kohë dhe UÇK-të (Ushtritë Çlirimtare në Kosovë dhe Maqedoni) ia kishin dalë misionit të tyre. Mos vallë…po përsëritej diçka në veri?! Në fakt, nuk ndodhi asgjë. Çamët, të duruar dhe duke pritur si zakonisht reagimin e atdheut Amë, ia besuan atij mbrojtjen e çështjes. Për ironi të fatit të tyre, Sali Berisha dhe Fatos Nano, dy eksponentët kryesorë të politikës shqiptare post '90, duket se pak e vunë ujin në zjarr. Përmes një sintakse shumë të hallakatur politike, ata iu shmangën kërkesave të komunitetit çam, ndërsa ngritjen e problemit tek homologët grekë, vazhdimisht e anashkaluan. A mund të quhet kjo një fitore e Greqisë, prej politikës shqiptare. De Facto? Jo. De Jure? Po. Ajo që të trondit më shumë është se shumë studiues shqiptarë të së Drejtës Ndërkombëtare heshtin ose janë fare të papërgatitur për Çështjen…Kurse, ajo që nuk llogaritet sot nga pala greke është se shumë nga ligjet e tyre, si ato të viteve '70-'80, janë kundër Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe protokollet e saj, dhe mund të ngrihen si probleme në Gjykatën e apo të Hagës. Dhe, zëri i Shqipërisë, vendit Amë të tyre-sot, është një zë jo i humbur. Kuptohet, në mos sot prej këtyre politikanëve, nesër diçka do të ngrihet. Për hir të së vërtetës, është një argument, që grekët e shfrytëzojnë pafundësisht. Më kryesori prej tyre është ai, që është artikuluar nga Nikolas Geixh, ish këshilltari i kryeministrit Micotaqis, kur deklaroi në një konferencë shtypi se:”Nuk ka çështje Çame, komuniteti Çam ka bashkëpunuar me fashizmin, prandaj e quan të ligjshëm persekutimin dhe spastrimin etnik të popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë në vitin 1944-1945”.

Greqia

Katër vjet më parë, kësaj date, të mynxyrë për Çamët më 10 Nëntor të vitit 1940 u miratua nga Parlamenti Grek- Ligji me Nr. 2636/1940 ose ndryshe ”Ligji i Luftës” ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Ai dukej se do të marrte fund më 10 Shkurt 1947, kur Greqia nënshkroi Traktatin e Paqes me Italinë, sipas të cilit Italia angazhohej të respektonte pavarësinë dhe sovranitetin e shqiptar, si edhe të shpallte të pavlefshme të gjitha aktet e marrëveshjet e rregulluara midis Italisë dhe autoriteteve të saj të vendosura në Shqipëri gjatë viteve 1939-1943. Më 7 Qershor dhe 9 1947 në vijim të dekretit 2634/1940 kanë dalë dy dispozita Nr. 14882/3574 ”Mbi përjashtimin e zbatimit të dispozitave të Ligjit 2636/1940 mbi sekuestrimin konservativ për sa u përket atyre që kanë kombësi greke dhe shtetësi shqiptare”. Nga këto dispozita përfituan një numër i papërfillshëm personash me origjinë grekë dhe shtetësi shqiptare, si dhe ata me besim ortodoks, që nga grekët konsiderohen me origjinë greke, kurse popullsia shqiptare e besimit mysliman të Çamërisë me kombësi shqiptare dhe shtetësi greke u përjashtua nga efekti veprues i këtyre dispozitave, duke mos iu njohur e drejta për pronat. Një vit më vonë, u miratua dekret-ligji me Nr. 1138, i cili ndryshoi nenin 21, pikën 2 të ligjit 2636/1940. Në këtë dekret, ligji thoshte se: ”Marrja fund e këtij ligji bëhet me vendim të përbashkët të kryetarit të qeverisë, si dhe ministrave të jashtëm, të financave dhe të drejtësisë”. Por, grekët, s'u mjaftuan me kaq: Në vitin 1965 u dekretua Ligji me Nr. 4506/1965, i cili shprehej se…”mbi ndalimin pa leje speciale të kryerjes së veprimeve , që kanë të bëjnë me pasuritë në Greqi të atyre personave me origjinë greke me banim në Shqipëri”. Gjithsesi, gjërat u fashitën disi, kur më 6 Maj 1971 u vendosen marrëdhëniet diplomatike në nivele ambasadoresh.

Shqipëria

E megjithatë, Ligji i Luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk u hoq por mbeti në fuqi. Përpjekja më e madhe pozitive duket se u arrit nga insistimi më 1987 i qeverisë së Papandreut Plakut, që arriti të heqë ligjin e luftës, por që Parlamenti nuk e kaloi. Deri më atëherë, Shqipëria i kishte dhënë strehë bashkëkombësve të saj, ndërsa një dekret i Kuvendit Popullor Nr. 2656 dt. 19.04.1953 u hoqi çamëve në mënyrë arbitrare, shtetësinë greke, duke u dhënë shtetësinë shqiptare dhe shkelur me dy këmbë Deklaratën Universale së të Drejtave të Njeriut. Pak vjet më vonë, një nga militantët më të njohur Çamë në SHBA- shkrimtari Bilal Xhaferri, që themeloi revistën ”Krahu i Shqiponjës”si organ i ”Lidhjes Çame”, tregoi se lëvizja çame nuk kishte reshtur. Vdekja e tij do e fashiste disi vrullin, deri më 10 Janar të vitit 1991, kur në Shqipëri u krijuar Shoqëria Politike “Çamëria” me një aktivitet të saj brenda Shqipërisë dhe arenën ndërkombëtare. Ajo i ka drejtuar disa herë kërkesa institucioneve të ndryshme, por për hir të së vërtetës, mungon një trajtim tepër profesional i çështjes, një element që është shfrytëzuar shumë nga pala greke. Vetëm se edhe vetë Greqia është detyruar që të mos i bishtnojë çështjes. P.sh. Në komisionin e Senatit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, kur u debatua pak vite më parë për ”Çështjen Çame”, Kryetari i Komisionit Grek të Helsinkit, Panajot Dimitras u dha sqarime senatorëve amerikanë dhe theksoi se Greqia e mbante në fuqi Ligjin e Luftës 2636/1940 me Shqipërinë, që të pengonte këtë për të ngritur çështjen Çame…Në ato kohë Bonino në Parlamentin Evropian, Hillary Klinton dhe shumë personalitete të tjera e ngritën çështjen, por duket se ora e Çamërisë nuk ka ardhur ende…

Historia shkurt

Çështja Çame filloi me shkëputjen nga Shqipëria de jure e territoreve të saj nga Konferenca e Londrës më 1913 dhe aneksimin e saj Greqisë. e kohës, pa dashur të futemi në thellësi, është e mbushur me një represion të madh ndaj tyre. Prologu ishte masakra te Përroi i Selanit në Paramithi i 72 burrave nga krerët e kësaj krahine. Kjo nuk mjaftoi sepse pesë vjet më vonë më 1918, me aplikimin e reformës Agrare, Çamëve myslimanë iu morën me mijëra hektarë tokë bujqësore, kullota , mijëra rrënjë ullinj , sipërfaqe të mëdha me agrume dhe vreshta… Më 1921-1923 në Konventën e Lozanës për shkëmbimin e pakicave greko-turke, qeveria greke dëboi në Turqi rreth 20.000 çamë myslimanë, duke i cilësuar si turq , në këmbim të grekëve të ardhur nga Azia e Vogël. I vetmi moment frymëmarrje ishte ardhja e Pangallosit që më 8 Mars te vitit 1926 midis të tjerave tha:“Republika Greke njeh minoritetin shqiptar që jeton në territorin e saj dhe nuk i konsideron më shqiptarët si Turq `. Teza që është mbrojtur deri me sot nga ne se ortodoksët shqiptarë janë grekë është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë . (“The Times “ 09/03/1926 ). Ai shpërndau organizatat Vorio-epirote dhe falë insistimit të ministrit shqiptar në Athinë Mit'hat Frashëri në qeverinë e Zogut u bë hapja e shkollave. Një vit më vonë gjithçka u fashit. Kjo dukej si ëndërr e bukur kur Metaksai do bënte kërdinë mbi çamët. Shkrimtari grek I. Sarras do : “ ……të krishterët ishin vërsulur mbi fshatrat myslimane dhe grabisnin çfarë u dilte përpara në shtëpi dhe në pronat e myslimaneve`. Kurse, historiani grek Zhongo do shkruante:”Sikur shqiptarët e Çamërisë të ishin vrasës dhe kriminelë do të ishin zhdukur të gjithë fshatrat e krishterë të Çamërisë që ishin rreth fshatrave myslimane” (Zhongo,”Anglikos qe ethniqiantistosi. .. vëll I-fq. 146). Por, nuk mbaron ende. Do të vinte edhe radha e Napolon Zervës , gjeneralit famëkeq me të cilin lidhet masakra e madhe e 27 Qershorit 1944 në Paramithi, që realizoi përzënien e 30.000 shqiptarëve me një dëm të përllogaritur të pronave të tyre deri në 2.5 miliard U. S. Dollar (vlerësim i kohës).

Gjithsesi, çamët kanë durimi të presin me handikapin e madh, që ka lidhje me mbështetjen e pakët institucional të vendit Amë dhe amullinë e vetë organizimit çam, që gjithsesi për ditë e më shumë është i ndërgjegjshëm se e ardhmja evropiane e Shqipërisë do të thotë zgjidhje pa asnjë lëshim edhe nga argumentat e palës së Greqisë…Ndoshta, qoftë dhe pa nevojën e gjuhës së forcës, që u shfaq për pak kohë me inicialet e frikshme për grekët… UÇÇ.

 

Shkruan: Ben  ANDONI

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.