Rreth Artikullit

Autori

Intervistë me këngëtaren Enkelejda Alushi – Arifi

Gjyshi im më kish thënë, se kur  jemi ndarë, atje ke vëllanë, që kurrë se ke parë

 

Bisedoi : Albert Zholi

 

Pengu im të shkoj të vizitoj Çamërinë

 

Vaj e mall për Çamërinë

 

Gjyshi im  më kish' thënë

Se  kur  jemi ndarë

Atje ke vëllanë

Që kurrë nuk e  ke parë

 

Shumë kohë u mendova

Ç'ka  u bë sahati

Vajta të takoja

Vëllanë nga Filati

 

O moj nuse e

Ç'të solli kësaj ane

Kështu në të dukur,

Më dukesh si çame

 

Kur të shoh kështu moj xhane

Me jelek e çitjane

Borzilok e manxurane

Çame  e kaluar çame.

 

Me këto vargje filloi biseda me këngëtaren çame Enkelejda Arifi në ambientet e TOB. Nuk i këndonte vargjet e këngës, por i recitonte. Me atë ndjeshmëri dhe pathos si në këngë. Rreth tryezës ishin mbledhur me dhjetëra simpatizantë të saj dhe ajo mes lotëve recitonte vargjet e këngës Hit në Kosovë “Vaj e mall për Çamërinë”. Një këngë  që të ngjall emocion, të shtang, të mallon, të rrënqeth, të bën të kërkosh të pamundurën. Kënga e saj është një Apel për gjithë politikën shqiptare, për organizmat ndërkombëtarë: Ktheni sytë nga Çamëria, nga kjo trevë perlë e bukurisë  shqiptare. Ktheni vëmendjen dhe sytë, nga kjo tokë shqiptare e lënë në harresë, ku vëllai është ndarë nga vëllai, nëna nga fëmija, gjyshi nga nipi, motra nga vëllai në mënyrën më të padrejtë. Gjithë biseda kaloi mes lotësh, ku ajo në gjithë rrugëtimin e saj jetësor deri në ngjitjen në skenë, për asnjë momnet nuk ka lënë vend pa u prezantuar “Unë jam çame”.

http://www.youtube.com/watch?v=0srh3Z6MoBs

Ju jeni me origjinë nga Çamëria. Na thoni çfarë ju kanë treguar prindërit, kur janë larguar nga Çamëria dhe si janë vendosur në Rrogozhinë?

 

Unë di që gjyshërit e mi janë larguar nga Çamëria kur ka ndodhur eksodi. Kanë qenë vitet ‘43-‘44. Ata janë vendosur në hyrje të Rogozhinës, ku banonin 80% vetëm me banorë çam, dhe ajo lagje quhet lagja “Miqësia”. Ka qenë një lagje  tipike çame, ku kemi ruajtur të gjitha adetet tona.

 

Çfarë ju kanë treguar  prindërit tuaj  për  shpërnguljen nga Çamëria?

Në ato vite unë di që burrat e fisit të babait tim kanë ardhur më përpara në Shqipëri sepse i merrnin ushtar me zor, ata nuk donin të ishin në shërbimin ushtarak të Greqisë. Gjyshi im ka qenë nga një fshat afër  Filatit  edhe gjyshja që është ende gjallë është edhe ajo nga një fshat afër  Filatit që quhet Vorsela. Këto dy fshatra i ndante vetëm një lum.

http://www.youtube.com/watch?v=vxfrM1QOGUw

Çfarë ju ka ngelur në mendjen tuaj ndonjë këngë apo ndonjë  histori  që  ju ka  treguar  gjyshi apo gjyshja  juaj për Çamërinë?

 

Ka shumë histori që më kanë thënë, por ajo që mua më ka ngelur në kokë është kur gjyshja ime ishte e vogël dhe tregonte se kur shkonim në shkollë na mësonin me zor greqisht. Ne, tregonte ajo, në shtëpi flisnim shqipe të pastër, por në shkollë mësuesit kanë qenë aq të rreptë sa na mësonin me zor greqishten. Mësuesit po të dinin se nxënësit mësonin gjuhë tjetër përveç greqishtes i dënonin shumë rreptë. Gjyshja ime ka pasur flokë të gjatë dhe i ka pasur me tre gërsheta të gjata. Mësuesja i thotë se duhet t'i presësh leshërat, nëna e saj nuk ia ka prerë dhe kur shkoi në shkollë mësuesja ia preu të tria gërshetat. Kur ia  kanë prerë flokët në shkollë ajo ka ikur nga shkolla dhe ka shkuar në shtëpi duke qarë. Grekët kanë jo vetëm të zhduknin gjuhën, por edhe zakonet dhe traditat. Këtë histori gjyshja ime ma  ka  treguar kur lidhte gërshetat e mia kur unë kam qenë e vogël.. Gjyshi im Ramiu që tani ka disa vjet që ka vdekur ka kënduar shumë bukur. Këtë ndoshta e kemi trashëguar unë dhe xhaxhai im. Gjyshi im për një kohë të gjatë ka lënduar në shtrat, ku humbi të dëgjuarit dhe të parit, por ai këndonte. Ai këndonte ato këngë çame aq të bukura, ku mund të veçoj një këngë ku tregonte për Ccamërinë kur një pjesë shkoi në Turqi, një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë tjetër humbën fare dhe nuk i dihet më filli i tyre. Unë fjalët  e këngës nuk i kujtoj dot se kam qenë shumë e vogël, por kujtoj lotët që i dilnin dhe zërin që i dridhej gjyshit tim.

 

Këngën “Vaj dhe dhe mall për Çamërinë” kë ka kompozitor, autor teksti dhe kush ju ka ftuar për ta kënduar këtë këngë?

Unë dhe xhaxhai im kemi bërë disa këngë, secili për hesap të vet. Një ditë kur po pinim një kafe në Durrës tek Vollga na lindi ideja të bënim një këngë bashkë. Diskutuam se Edi Balili bën shumë këngë të bukura, por jo të jugut të trevës sonë, por të Shqipërisë së mesme. Vendosëm të kontaktonim me Edin. I themi se duam të bëjmë diçka të bukur bashkë, por e duam të trevës  sonë. Ai na tha se unë kam shumë përvojë për këngët e jugut, por na tha ta diskutojmë.  Meqenëse çështja Çame është problem i ditës menduam të bënim ndonjë baladë të mallëngjer apo të gëzuar. Vendosëm të bënim një baladë për të sensibilizuar të gjithë masën, ku njerëzit të ndjejnë atë dramën e  madhe të ndarjes çame. Në atë kohë janë ndarë familje të tëra nga njëri-tjetri. Duke qenë se,  ne jemi xhaxha dhe mbesë vendosëm  që  në këngë  të luanim rolin motër e vëlla. Mendimi i kësaj drame familjare ishte e Jorgo Papingjit. Ka  qenë një periudhë e gjatë 6-7 muaj që ne rrinin në kontakt të katër me telefon. Mbas shumë bisedimeve  na vjen Jorgo me temën e trajtuar dhe me tekstin e shkruar  që më pas  Edi hodhi notat e para në pentagram.

Kur filloi të realizohej  për herë të parë kjo këngë?

 

Ka qenë fundi i nëntorit dhe fillimi i dhejtorit të vitit 2006, ku klipi nuk ishte bërë akoma. Kënga është anonçuar në  Radio  Televizionion  e Kosovës  në  programin e Vitit të Ri. Kur ne sollëm diskun për ta dëgjuar të inçizuar (në sallën e RTK), të gjithë artistët që rrinin për të inçizuar  pjesët e veta,  atë natë u shtangën. Pas dëgjimit të parë, të pranishmit kishin shumë dëshirë që ta dëgjonin sërishmi. Kënga u përsërit 2-3 herë, ku për pjesmarrësit e atij niveli nuk ishte e zakonëshme. Kur që u prekën artistët çfarë mund të thuash për dëgjuesin e thjeshtë kur nga ana artistike do të ishin shumë të virgjër. Dhe e dyta ishte në Radion 21, ku shumë artistë na uruan dhe na jepnin komplimente. Kjo ishte një këngë çame dhe ne ishim të sigurtë që komuniteti çam këtë këngë do ta përpinte menjëherë, por nuk ishim të sigurtë se si do ta priste këtë këngë Shqipëria e Mesme dhe aq më tepër Kosova.

 

Si u ndjetë në atë moment në ambjentet e RTV-së?

 

U ndjeva shumë mirë. Që kur bëhej realizimi ne e pamë nga ana teknike, zëri etj. Ishte një këngë që dallonte totalisht nga të tjerët. Ishte një mbresë shumë e madhe kur shikoje reagimin e të tjerëve. Reagimet ishin nga më të ndryshmet dhe reagimet na bënin që të ndjeheshim mirë.

Ju tani keni vendosur të bëni një album tjetër vetëm me këngë për Çamërinë?

 

Ne sapo kemi realizuar këngën e dytë, e cila titullohet: “Çamëri nuse me halle”. Është një pogonishte tipike çame dhe është më ndryshe nga e para, pasi ka pak revoltë dhe protestë brenda saj. Ndërsa kënga e parë sensibilizon masën, kjo e tanishmja i gjallëron dhe i organizon pak më shumë ata. Besoj se kemi bërë një këngë të mirë dhe mendoj se brenda dy javëve audienca do ta shikojë edhe të realizuar edhe në videoklip.

 

Me kë e keni realizuar këtë këngë?

 

Është i njëjti autor, i njëjti staf.

 

A ke ndonjë peng në jetë?

 

Kam, por  nuk mund të them se është peng. Kjo është një ëndërr që pres të realizohet. Dua të shkoj në vendlindjen e gjyshërve të mi. Sepse edhe prindërit e mi  akoma nuk kanë arritur  të shikojnë vendlindjen e prindërve të tyre. Shpresoj që do të jetë një ëndërr që do të realizohet shpejt.

 

A mendoni se këngët tuaja, dhe ju si familje jeni ambasadorët më të mirë të këngës çame?

 

Unë do të isha e nderuar po të ishte ashtu. Dhe do të jem e nderuar po të jetë ashtu. Unë mendoj se kam sjellë shumë mirë jo vetëm muzikën çame, por edhe çështjen çame tek njerëzit. Nga jugu deri në veriun e sipërm të Shqipërisë dëgjuesit më thonë se na ke bërë Çam.

Kam shumë dëshirë të citoj vetëm refrenin e këngës së dytë,që është ndryshe nga e para që ka mall, nostalgji dhe mallëngjim. Por kjo e dyta ka pak revoltë dhe protestë brenda.

 

Lermë  një si të të shikoj

Sa herë malli të më marrë

Lermë një baçe ta punoj

Që kur të të kem një varr

 

Copa, copa të më bluash

Mos më lësh nam e lishan

100 herë të më gatuash

1000 do të bëhem çam

 

Ju keni marrë një nismë kaq fisnike dhe të madhe, kush ju sponsorizon dhe ju ndihmon për të gjithë këtë nismë kaq  të bukur  dhe të madhe?

 

Kjo është një sakrificë e madhe, ku jo vetëm unë, por e bëjnë edhe shumë artistë të tjerë. Çdo gjë mundohemi ta bëjmë me investimet tona, me punën  tonë që bëjmë gjatë gjithë vitit. Është një shtysë e brendshme që vjen vetiu, për përkushtimin që kemi për artin. Por nga ana tjetër  është dhe obligimi ndjej si çame për  komunitetin tim. Obligimin e kryej në mënyrën time, unë nuk mund të bëj diçka që mund të bëjë një politikan apo një njeri tjetër.

 

Na thuaj diçka mbi bashkëpunimin tuaj me kompozitorin Agim  Krajka?

 

Për mua është një ëndërr dhe një nder i jashtëzakonshëm që maestro Krajka më ka besuar 10 nga këngët e tij më të mira ndër vite. Në fillim kam kontaktuar me Krajkën, vjet në shtator në Festivalin e Këngës që u mbajt në Shkodër, ku unë u cilësova me çmimin e parë, si solistja më e mirë e festivalit. Ishte propozimi i tij që më bëri që unë të interpretoj 10 nga këngët më të mira të tij, por në zhanrin e muzikës së lehtë. Jam shumë e gëzuar që profesori ka ngelur i kënaqur me zërin, me interpretimin dhe me performancën që kanë marrë këngët (pasi janë kënduar nga emra shumë të mëdhenj si Vaçe  Zela, Pareshqevi Simaku, Irma Libohova) dhe jemi në përfundim e sipër. Them se së shpejti do të dalin 10 këngët më të mira të profesorit dhe njëra prej tyre do të jetë  e realizuar edhe në videoklip.

 

Tags: , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.