Rreth Artikullit

Autori

Thellimi i tragjedisë së popullit të Camërisë në vitet 1920 -1923

 

Në prag të vitit 1920, dukej se në trevat shqiptare, të ndëshkuara të ishin brenda shtetit grek, pat rënë një lloj qetësie, por kjo „paqë“ helene do të ishte tejet e gënjeshtërt.Dihet se në verën e vitit 1919, ushtritë greke, të fryra prej një propagande të rrejshme, iu vërsulën Turqisë, duke ëndërruar të shtrihen deri në brigjet aziatike. Luftimet midis turqve dhe grekërve, që në fillim u karakterizuan nga rivaliteti i madh dhe kjo ishte arësyeja që trevat e çamërisë, kishin mbetur disi larg vëmendjes së Athinës.Ndonëse Athina pat bërë disi demarshe, për të rekrutuar shqiptarë ortodoks të çamërisë dhe për t'i çuar në frontin e luftës kundër Turqisë, këto nuk dhanë ndonjë rrezulltat kushedi se çfare.

Banorët etnikë shqiptarë të çamërisë, sapo ndjenin të afrohen në shtëpitë e tyre, komanda ushtarake, merrnin masa për largimin e djemve dhe burrave, ndonëse shpesh, e pësonin gjëja e gjallë e vjedhur, apo u digjeshin shtëpitë.E vërteta është se, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, me vendosjen e kufijve të rinj midis shteteve, lindën probleme tejet të mprehta me pakicat etnike, të detyruara të jetonin nën sundimin e të huajve.Pikërisht për këtë me 10 gusht 1920, në Sever, u nënshkrua një marrveshje prej Fuqive të Mëdha të cilat u njihnin pakicave etnike, mjaft të drejta siç ishin bie fjala e drejta për të jetuar në komunitet, për t'u zgjedhur në organet egzekutive, për arësim e shkollim në gjuhën e tyre. Marrveshjen në fjalë, e nënshkroi edhe pala greke, e cila ishte e interesuar sidomos lidhur me pakicat greke në ëri, Mbretërinë Jugosllave, Turqi e gjetkë. Por ndërsa ngrinte zërin lartë për ndonjë padrejtësi që mund t'u bëhej helenëve, qeveria e Athinës vazhdonte në mënyrë sistematike të kërkonte egzistencën fizike të shqiptarëve brenda kufijve të vet shtetëror.Ky kërcënim, merrte trajta të pazakonshme politike dhe diplomatike, kur mendohej se nuk bëhej fjalë për një pakicë disa mijëshe, por për 1/3 e gjith popullsisë që përfshihej në kufijtë e shtetit grek, në vitin 1920 .
Qeveria shqiptare e dalë prej Kuvendit historik të Lushnjës, që në muajt e parë të jetës së saj, i kushtoi vëmendjen e duhur tragjedisë së banorëve të Camërisë, duke i konsideruar ata vëllezër prej nënë e gjaku. Një delegacion i nacionalistëve shqiptarë u nis menjëherë në Evropë, duke dashur të sensibilizojë opinionin botëror lidhur me ngjarjet dramatike në trevat shqiptare të çamërisë, me ç'rast kërkohej ndihma autoritare e tyre.Duke përfituar nga disa mosmarrveshje të vogla të dala në Sever, kur Këshilli i Lartë i Lidhjes së Kombeve, kërkonte prej Athinës të vendoste paqë në çamëri, helenët dinakë i përgjigjeshin se kjo do të ndodhte menjëherë, sapo marrveshja e Sevres të konkretizohej në të gjitha aspektet.Sigurisht gjatë kësaj kohe, Athina kish dërguar në çamëri 200-300 andartë, të cilët pas plaçkitjes së shtëpive të shqiptarëve myslimanë, të parin djalë që kapnin,qoftë ky edhe 15 vjeçar, e dërgonin të lidhur për të luftuar në brigjet e Anadollit.Ndonëse veprimet e andartëve grekë në trevat shqiptare, në pamje të parë, të jepnin përshtypjen se ishin të rastësishme, po t'i shikoje me kujdes, bindëshe se ato kalkuloheshin me një qetësi neveritëse nëpër zyrat famkeqe të Athinës.Nëpër këto zyra, ideohej deri në detajet më të hollsishme, plani i dhunimit psikologjik e fizik të shqiptarëve etnikë, duke dashur që këta të , të dërmuar në çdo aspekt, të braktisnin pa shpresë tokën e të parëve të tyre. Një tabllo tronditëse e kësaj dhune sistematike të ushtruar, jepte pos të tjerave një një peticion që disa nacionalistë shqiptarë, i dërguan në verën e vitit 1921, Bonin Longarit, anëtar i Konferencës së Paqës në Paris. Jo pa qëllim, emrat e këtyre nacionalistëve, u përkasin krejt trojeve etnike shqiptare dhe në fund, ajo është firmosur prej profesor Bedri Pejanit. Pos të tjerave, Bonin Longari, bëhej me dije se ;

1- Fermerët grekë kanë shtënë në dorë, si në Filat,fermat e Pangratit,Draganit e Glisit, që u përkisnin vajzave të Jusuf Pashë Dinos dhe të Patamës me shtatë fshatra të tjerë të quajtur me emrin Kopakia, që i përkasin familjes së Abdyl Vehap Pashait dhe Zekonia Bej Dinos.

2- Nga ana tjetër qeveria greke ka konfiskuar fremat e Popovës, Granicës, Magit, Duvles, Lalezës, Striganecit, Labanicës,Cangarit,Kukull, Vernikut, që i përkisnin familjes së Fuad Aga Pronios, i vrarë më 1914.Kjo familje të jetojë në Janinë në varfëri të plotë. Gjithashtu janë konfiskuar fermat e Sivesios, Zalesos, Draganit, Vejnikut ,Gravastes që i përkasin Nail Abdullah Efendiut.

Në distriktin e Gumenicës

1- Janë konfiskuar nga qeveria greke : Të gjitha pasuritë e paluatshme të Hamdi Beut ( 10 apartamente, 10 shitore, 1 Furre buke dhe 1 kafe).
Të gjitha pasuritë e paluajtshme të Haxhi Mahmudit ( 12 shtëpi ).

Në distriktin e Mërgëllëçit

Njëzet fshatra të krahinës së Frarit janë shtënë në dorë nga fermerët grekë dhe njëzet të tjerë janë marrë me qira kundrejt shumës qesharake të një të pesadhjetës se të ardhunave.
Vërejtje – Asnji shqiptar nuk mund të kthehet në fermën e tij nga frika se mos vritet burrat Murat Gjyzeli, Hafiz Topolo janë vrarë duke u kthyer në fermat e tyre.

II- Mizorira të çdo lloji.

1- Mbi njëmijë shqiptarë të Camërisë rënkojnë në burgje e qeli

2- Të quajturit Hafiz Muhedini, myfti i Ajdonatit dhe Tahir Mete Mazreku, nga paria vdiqën nga rrahjet në burgun e Janinës, muajin e kaluar.

3- Rënkojnë në qelitë e Ali Pashës, në Janinë, ndër të tjerë, nga paria e Filatit dhe e Ajdonatit, si më poshtë, Haki Musa, Hysni Abazi, Musa Demi, Hajredin Stera, Xheladin Haruni,Omer Haruni, Qamil Izeti, Selfo Abazi, Abdyl Duka, Kaso Duce, Ali Sulo, Daud Saqe, Xhirdet bej Dino, Agako Pronio, Xhemil Reshid Bako, Mazar bej Dino, Tahir Adam Bako, Osman aga nga Shau etj. Abdi Rojba, Kasem Rusi, Jakup Vejseli, Xhelal Mahmudi, Jusuf Mahmudi, Ahmed Kasami, Damin Mete, Ruhi Daliu, Omer Kasemi, Lutfi Rojba, Shaqe Hamidid, Xhan Dina, Haxhi Braho etj.

4- Vajza e madhe e Jusuf Ajdonatit, zonjusha Nadire, është dërguar në burgun e Janinës me këmbë dhe e lidhur. Dy vajzat e tjera, Zonjushat Ikbal dhe Esma, gjenden në burgun e Ajdonatit.

5- Kutbi Pilavi, shef nacionalist, u burgos në spitalin e Janinës në muajin maj 1921.

6- Të quajturit Nusret Haxhi Faka, nga paria e Marrgellicit dhe Vejsel Kurti, nga Versela u pushkatuan.

7- Nënprefekti i Margellicit shtiu në dorë me forcë gruan e njërit nga paria.
Të gjitha këto fakte provojnë në një mënyrë të pakundërshtueshme se regjimi grek ka vetëm një natyrë despotike nga më të urryeshmet.Ai do të ketë si pasojë vetëm një varg revoltash e shkatërimesh, që do të turbullojnë, shumë a pak seriozisht, paqën në Ballkan.Ne i lutemi Shkëlqesisë Suaj të ndërmarrë nismën e një përcapjeje serioze pranë Qeverisë së Athinës, ndërkohë, që duhet të vendosë dërgimin e menjëhershëm, në vend, të një komisioni anketimi, i cili është mjeti i vetëm e sipërpërmendura“.( Arkivi Qendror i shtetit -Tiranë. Fondi 251,dosja 44, fleta 86-87 ).

Ndërkaq, në fillim të viti 1922, kish filluar të kristalizohej katastrofa e madhe helene në brigjet aziatike.Mbreti Konstandin, duke mos njohur sa duhet fuqitë luftarake të forcave të veta, dhe sidomos i lënë në baltë nga Anglia, filloi tërheqjen për në kufijtë e vet të vitit 1913, duke lënë pas dhjetra mijëra të vrarë të pafajshëm. Lavdia e rreme helene pat marrë fund, me ç'rast merrte fund edhe ushtria greke kinse në vitin 1919 pat deklaruar se „nuk do të linte të gjallë kokë turku në botë“.
Sigurisht shkuarja e ushtrisë se copëtuar në greqi do të përbënte një fillim të ri të dhunës e terrorit, ndër banorët myslimanë të çamërisë, të cilët ç'prej vitit 1913 quheshin nga Athina zyrtare si banorë me kombësi turke.Viset shqiptare të Janinës,Paramithisë,Konicës,Voshtinës dhe Prevezës, në mesin e vitit 1922, pësuan një valë dyndjesh të reja prej andartëve grekë.Duke përgaditur në mënyrë djallëzore largimin e shqiptarëve etnikë prej tokës amtare, në këto kohë Athina urdhëronte gjithë kryepleqtë e katundeve që në listat e popullsisë, në këto treva, në momentet e regjistrimeve, të shënonin vetëm fenë dhe të fare kombësinë.Ndonëse kjo pikë, binte ndesh kryekëput me marrveshjen e Levres, helenët, në shumë vise shqiptare, përdorën këto forma duke kërcënuar hapur se ata shqiptarë që donin të shkruhej kombësia, do t'u merrej çdo lloj pasurie e tundshme dhe e patundshme.Situata e mjeruar e vëllezërve çamë, përcillej me dhimbje edhe në Shqipërinë e atyre viteve.Duke ekonsideruar çamërinë, si pjesë të trupit të tyre, nacionalistët e shtetit amë, bënin çfar të ishte e mundur të lehtësonin sadopak dhimbjet e vëllezërve të tyre, pa ndaluar në asnjë moment luftën politike e diplomatike. Kështu, në vitin 1922, qeveria shqiptare disa herë ka marrë në shqyrtim gjendjen e mjeruar të banorëve çamë dhe në fshehtësi ka hapur dyert duke pritur dhe vendosur me fonde të veçanta mjaft shqiptarë etnikë të përzënë me dhunë prej Athinës.
Mendoj se është me interes, të sjellë në këto radhë, një pjesë të diskutimit të nacionalistit të njohur Ali Këlcyrës, në një prej mbledhjeve të këshillit kombëtar, në Tiranë, më 18 dhjetor 1922. Lidhur me problemin çam, post ë tjerave, Këlcyra do të shprehej tekstualisht ;
„Shumë herë nga çamërit që ndoshen këtu kishim digjuar qarje e lutje, te behen hapat e duhura për të mbrojtur interesat e vëllezërvet tonë.Neve pas principit që kemi pasë kurdoherë qe t'i harrojmë të shkuarat e të sjellim nji afrim me fqinjin tonë të Jugut, i këshillonim vëllezërit tonë çamërit të kenë durim, sa që të sigurohen marrveshjet midis dy shteteve e të mbrohen shumë a pak interesat e tyne me mjete paqësore.Mjerisht këto kohet e fundit, despotizma dhe keqpërdorja e autoriteteve greke drejt vëllezërvet tanë kanë arritur në një till shkallë, që si do që të jenë principet tona e interesat e shtetit, ndjenjat njerzore ma tepër se patriotike, na shtërngojnë e na detyrojnë të mos mbyllim veshët përpara këtij zërit të tmerruar, i mijërave vëllezërve tanë, të cilët vuajnë nën dhundrën e pushtimit të huej e na lypin ndihmën morale.Kjo zotërinj, e përsërit prapë, nuk ka asnjë qëllim irrendentist po vetëm një dije njerzore e cila na shtërngon të bëjmë të ndigjohet në botën e qytetëruar lëngimet e atyne që zëri nuk dëgjohet, nga prangja e robëris.Siç e dini megjithë që nuk kemi marrëdhënie diplomatike me Greqinë, nga pikpamja ndërkombëtare prapë kemi një lidhje. Si Greqia dhe Shqipërija janë dy shtete anëtare të Lidhjes së Kombeve.Si të gjitha shtetet që kanë marrë pjesë në këtë Ligj ashtu edhe Greqija dhe Shqipnija janë impenjuar të mbrojnë jo vetë të drejtat njerzore por edhe politike të .
Zotërinj ! Në këto ditë në Komisionin e Drejtësisë po bisedojmë ligjen e minoriteteve të cilën na e kërkon Lidhja e Kombeve. Shteti shqiptar po ven pikë në e gjithë engagementet që ka marrë në Gjenevë e po i siguron plotësisht të drejtat e pakicës greke.Kërkojmë nga qeverija pra të na thotë ç'masa ka marrë për të mbrojtur të drejtat e fatzezëve vëllezërve të vet çamë, të cilët kaq padrejtësira.Le, që të drejtat politike,që atyne nuk u janë njoftë, por edhe të drejtat ma elementare njerzore, si sigurimi i pasurisë, i domizilit, dhe i jetës, dhe i nderit u janë marrë nëpër këmbë. Pas lajmeve të fundit që kemi thuhet që autoritetet greke, vëllezërit tanë 4amë i konsiderojnë si turq, dhe duan të marrin ç'pagë e mizorivet që bajnë armiqtë e tyne në Azinë e Vogël. Zotërinj ! grekërit kur nuk kanë dashur të kuptojnë se shqiptarët, dhe ata që janë mohamedanë nuk mund kurrë të quhen turq.Pra nuk më duket një gjë fisnike për të bijtë e Leonidhës, të cilët për të marrë hakun e prishjes së Anadollit, si skan se ç'të ju bëjnë turqvet të shtypin e të shkelin vëllezërit tanë, të cilët janë krejt të pafajshëm e kanë bërë detyrën e tyre plotësisht si nënshtetas grekë. Në qoftë se janë të vërteta ato fjalë se marrin ushtarët grekë prej flokëve e i hedhin jashtë shtëpisë duke dashur t'i përzënë e t'instalojnë nëpër shtëpinat e tyne grekërit e Anadollit, kjo do të jetë nji padrejtësi e madhe,e që do të lënë një njollë të zezë e të pafshirë në historinë greke. Pra unë si antar i bindur i miqësisë grekë-shqiptare lus qeverinë të bëjë hapat e duhura, të ndalohen me çdo mënyrë këto mizorira, e kështu në këtë mënyrë të stabilizohen relacionet miqësore në mes dy shteteve“. (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 246 , viti 1922, dosja 84, fleta 102 – 103 ).
Një lojë tinzare e luajtur prej helenëve – barbarë, ishte edhe marrveshja e arritur me Stambollin, për ndërimin e popullatave. Në pamje të parë, ky ndërrim i popullatave,u duk i favorshëm jo vetëm për Fuqitë e Mëdha por edhe për vetë pakicat etnike.Por në bazë të regjistrimeve të bëra më parë, për mijërat e shqiptarëve që banonin brenda kufijve politikë të Greqisë, mungonte zyrtarisht kombësia dhe krejt myslimanët lehtësisht ishin paracaktuar të merreshin si turq.Me anë të këtij traktati dy palësh midis Athinës dhe Stambollit, të nëshkruara në Lozanë të Zvicrës, më 30 janar 1923, kërkohej shpërngulja e pothuaj 90 përqind e popullsisë së çamërisë, e cila figuronte si popullsi turke.Si gjithmonë qeveria e Athinës,sapo firmosi marrveshjen e Lozanës, nisi të përshkallëzojë masat represive ndaj shqiptarëve etnik të Camërisë. U përpilua së pari lista e familjeve të para, që do të dërgoheshin në Anadoll, me ç'rast u vunë në shënjestër krejt familjet e mëdha atdhetare çame, të cilat kishin jo vetëm toka, livadhe e por gëzonin edhe respekt ndër masat e gjëra popullore.Kryefamiljarët filluan të thirreshin dhe të merreshin në pyetje për pasuritë e tyre, duke bërë të qartë largimin e tyre për në Anadoll.Ngase egzistonte ligji i cili, nuk lejonte shqiptarëve të çamërisë shitblerjen e tokës, helenët donin të vinin tani nën kontroll pasuritë e lujtshme të tyre, me të vetmin qëllim për të grabitur ato.Për më tej, me ndihmën e andartëve, qeveria e Athinës, kishte planifikuar edhe banorët grekë, të cilët, do të zinin shtëpitë dhe tokat e shqiptarëve, duke mos paguar asnjë dhrahmi.
Në verën e vitit 1923, në krahinat shqiptare të Paramithisë, Margellicit dhe Gumenicës u dërgua i ashtuquajturi „Komitet i Azisë së Vogël“ në të cilin bënin pjesë 3-4 deputetë helenë së bashku me metropolitin e Athinës.Misionarët e konfesionit ortodoks,edhe kësaj radhe nuk vonuan të rrëfejnë fytyrën e tyre prej djalli, të mbuluar nën petkat e perëndisë.Fillimisht,komiteti në fjalë u muar me propagandën për kinse parajsën që do të gjenin myslimanët shqiptarë, në tokat e Azisë së Vogël, të banuara po prej myslimanëve.Por kur panë se propaganda e tyre, nuk pinte ujë, nisën manovrat e hershme.Diku digjej papritur ndonjë zyrë Kdastrale, diku merrte ë natën xhamija apo teqeja, dikujt i „humbiste“ bagëtia në mes të ditës, dhe çuditërisht në postet e xhandarmërisë kishte vetëm shqiptarë të pafajshëm të marrun në pytje e malltretime.
Në tetorin e vitit 1923, një përfaqsi e atdhetarëve çamë e përbërë nga Musa Demi dhe Musli Izeti, shkuan në Athinë dhe me sakrifica të mëdha,mundën të takoheshin me gjeneralin Spanjoll, De Lara, i cili ishte caktuar si krytar i Komisionit të Ndrrimit të Popullsisë, midis Greqisë dhe Turqisë. Të dy atdhetarët çamë, kishin marrë me vete dokumente të mjaftueshme, të cilët provonin autoktinë e trojeve shqiptare, brenda kufijve të shtetit grek.Më tej, ata, nuk nguruan ta bëjnë me dije De Laron, për të gjitha masat shtërnguese që Athina pat marrë për largimin e pavullnetshëm të shqiptarëve, nga trojet e veta amtare.Lidhur me takimet e shumta të këtyre dy atdhetarëve çamë me gjeneralin spanjoll, do të shkruante edhe shtypi grek, me nota ekstremiste lidhur me deklaratat e De Lares, i cili i siguronte atdhetarët çamë se ata nuk do të këmbeheshin në vend të turqve.Ndërsa shtypi shqiptar, duke shkruar me adhurim e respekt për Musa Demin dhe Musli Izetin, post ë tjerave, jo pa ngazëllim rrëfente që „prej muajsh, këta nacionaliste të vendosur e guximtarë, po përpiqen me trimëri e vetmohim, për mos të braktisur atdheun“.( Gazeta „Politika“ Vlorë,dt. 1.XI.1923 ,fq 2 ).
Gjithashtu atdhetarët çamë,u përpoqën të ndërthurnin luftën dhe përpjekjet e tyne, edhe me nisma të tjera propagandistike, duke zbardhur para opinionit botëror të fshehtat e hidhura që kurdiste qeveria helene.Madje zëri i këtyre bijve të çamërisë,u ndie edhe përtej kufijve të kontinentit tonë.Kështu, në fundvitin 1923, vëllezëria „Camëria“ në Amerikë, në telegramin që i dërgonte disa personaliteteve të mëdha të kohës, midis të cilëve edhe kryeministrit anglez Donald, nuk mungonte të vinte në dukje kontinuitetin e racës së tyre.Në këtë telegram pasi rrëfenin për dredhitë helene anëtarët e vëllezërisë „Camëria“ shpreheshin tekstualisht ; „Shqiptarët e çamërisë, tërësisht të krahinës shqiptare, të munduar tmerrësisht në zgjedhen greke, tani janë në rrezik të dëbohen nga shtëpitë e tyre dhe të dërgohen në Anadoll, gjoja si të ndërruar me grekë anadollitë, ndonëse vendësit e çamërisë nga kombësia, gjuha dhe zakonet, janë shqiptarë dhe zbresin nga burimi i ilirianëve të vjetër.Shqiptarët e çamërisë,ju lutem të kini mirësinë e të ndërhyni për të ndaluar një padrejtësi të madhe“.( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 252 dosja 64 , fleta 4 ).
Sidoqoftë me gjithë këto përpjekje titanike të shqiptarëve, nga të gjitha trevat dhe nga çdo ngulim shqiptar në botë, vrulli i andartëve grekë ishte i papërballueshëm.Në fund të vitit 1923, nga Preveza u rrëmbyen me forcë rreth 70-80 banorë çamë dhe u dërguan në Selanik, ku gjoja i prisnin përfaqsuesit e shtetit turk.Ngase muarën me forcë nga shtëpia, zhveshur e zbathur, në dimrin e egër të vitit 1923, shqiptarët etnikë të çamërisë, në pritje gjoja të qeveritarëve turq, të cilët do të paisnin me pasaporta, vuajtën edhe për bukën e gojës.Ata mbaheshin në birucat e xhandarmërisë vendase dhe vetëm kur 4-5 prej tyre vdiqën nga uria e të ftohtit, u lanë të lirë të tjerët.Por edhe kjo liri, nuk kish çfar u duhej banorëve të çamërisë.Tashmë,ata nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, ngase tokat ua aptën marrë, bagëtinë ua kishin therur, ndërsa shtëpitë ua patën zënë përgjithmonë grekë të ardhur nga Athina.Të gjithë këta ardhacakë,mbroheshin me pushkë prej xhandarmërisë vendase si edhe kopeve të ujqve-andartë.Në këto kushte kaq të vështira,qeveria shqiptare,pos masave të tjera, ndërmori edhe nismën për të dërguar si përfaqsues të saj në Athinë,atdhetarin e shquar Mid'hat Frashërin.Përpjekjet e tij diplomatike e njerzore,përbëjnë një kapitull të shkëlqyer në parandalimin e tragjedisë së banorëve të çamërisë.

Shkruan:Eugen SHEHU

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.