Rreth Artikullit

Autori

Si i njoha “puçistët” e Teme Sejkos

Të pafajshëm që duhet të pranonin nën tortura se kishin dashur të rrëzonin regjimin komunist.

Si në rastin e Teme Sejkos, i cili përballë presioneve për të sajuar një grup armiqësor, sajonte plane dhe aksione kundër regjimit, të cilat më pas do të ishin pjesë e aktakuzës ndaj tyre.

Njerëz që pas viteve të burgut dhe torturave çnjerëzore do të shpërfytyroheshin, siç i përshkruan ish-i burgosuri i ndërgjegjes, Gëzim Peshkëpia në librin e tij “O njeri…!”

Rrëfimet nga vitet në burgun e Ballshit për të ashtuquajturit anëtarë të grupit armiqësor

(vijon nga numri i )
Me kohë njoha personazhe që ishin të njohur jo vetëm në Shqipëri. Këtu ishte pjesa më e madhe e grupit të Teme Sejkos.

Gjeta Jonuz Purizon nëntëdhjetëvjeçar që e kisha parë të filmuar në gjyq. Më kishte mbetur ndërmend kur rreth veshit të tij të madh, mblidhte dorën si bori dhe i drejtohej kryetarit të gjyqit herë mbas here ngaqë s'dëgjonte mirë me fjalën: “Lepe!”

E mbanin nga krahët kur lëvizte. Dihaste plot vështirësi me gjuhën e madhe jashtë. Nga ky grup, në jetën e lirë, kisha njohur Skënder Bariun që kishte qenë barist tek lokali “Hekurudha” në plazh.

E dënuan me vdekje e mbas tridhjetë e shtatë ditësh i falën jetën. Skënderi ishte punëtori më i fortë e ndoshta i vetmi që çdo muaj fitonte flamurin dhe dy ditë e gjysmë në muaj që i zbriteshin nga dënimi. I tregova se një verë kisha qenë me qera në shtëpinë e tij.

Pashë aty Nasho Gërxhon e famshëm që bënte e ç'bënte, e pillte nga takime çobenësh me diversantë, dokumente të reja për lidhjet e Teme Sejkos e gjëra të paimagjinuara për të cilat do ia kish zilinë dhe Karl May që shkroi libra me udhëtime në vende, ku s'kish qenë kurrë e takime me njerëz që s'i kish parë as në ëndërr.

Pas ballafaqimit me ta në hetuesi i ngushëllonte çobançe: “E mo, se do jemi bashkë atje të gjithë e s'ke për t'u mërzitur”.

Pastaj kur vinin në kamp, u shtronte një drekë mirëseardhjeje e për çudi nuk mbanin mëri e nuk hakmerreshin si shumë shqiptarë. Përgjithësisht vllehët, apo si i quanin rëndom çobenët, ishin njerëz të butë, punëtorë e kokulur. Ata ishin të nënshtruar e s'njoha asnjë që të mbahej kapadai. Pothuaj që të gjithë kishin akuza për agjenturë e spiunazh.

Një person mjaft mbresëlënës nga grupi i Teme Sejkos ishte Sami Murati. I gjori Sami! Me një shikim të trishtuar, me një shprehje të fizionomisë së tij ku lexohej pafajësi, priste një përgjigje nga askushi…

Të këpuste shpirtin! I kish ikur mendja që kur u dënua dhe në të gjitha veprimet duhet ta udhëhiqte dikush duke e mbajtur për dore si fëmijë. Sigurimi mizor e kishte shpërfytyruar atë njeri aq delikat e të urtë. Mbajtja në e atij ishte sa absurde, po aq edhe çnjerëzore.

Njëkohësisht diskretituese për sigurimin ishte flagranca e rastit të tij. Mbahej në burg “për riedukim” një njeri pa ndërgjegje. Edhe komanda, me oficerë e nënoficerë i shmangeshin komentit për të. Sa mizor ishte izolimi i tij! Miku im, Gjino, kishte punuar me të në ndërmarrjen e botimeve.

E përshkruante si një njeri të përkryer: të sjellshëm, me kulturë, intelektual tipik, punëtor e mjaft serioz. Samiu kishte humbur në botën e errët të alzheimerit.

Rrjedhojë e torturave çnjerëzore të shoqëruara me medikamente që degradonin sistemin qendror nervor, ai manifestonte simptomat Dementia totalis apo Morbin e Alzheimerit. Megjithatë shquhej një fisnikëri në kompleksitetin e tij.

Një çam i shërbente me devotshmëri e durim, sikur ta kishte vëlla. Mbasi u lirua ky njeri, Samiu ra në duar jo të mira. Megjithë mungesën e të folurit, ai e shprehte indinjatën me gjeste nervozizmi dhe me sy të përlotur. Një ditë, papritmas, e gërvishti në fytyrë tutorin e ri.

Kam ngrënë për dy radhazi në një tavolinë me të. Vetëm një herë e dëgjova të thotë duke shtrirë pëllëmbën përpara, dy fjalë: -Kot fare!

Ishte një revoltë, ishte përgjigja që u jepte gjithë atyre kokave të qethura që endeshin në shëtitjen e mbrëmjes, të cilat kishin një emërues të përbashkët: pyetjen “PSE JAM KËTU?!”

Ishte mesazhi dyfjalësh që u niste persekutorëve të cilët mbyllnin veshët prej vitesh për të mos dëgjuar krismat e tyre, ulërimat e të tjerëve…

Një ditë e zhdukën nga kampi. Thanë se e dërguan në spital. Thanë se familjes që i kish ardhur për takim, i dhanë lajmin se ai kish vdekur gjatë operacionit. Nga se vuante? Ai s'dinte të ankohej, sepse nuk ishte në gjendje të fliste. Çfarë operoi? Kurrkush s'dinte gjë…

Skënder Bariu më tregonte se e kish pasur komisar batalioni. Me gjakftohtësinë e butësinë e tij i kishte shpëtuar jetën një partizani që donin ta pushkatonin duke e akuzuar se kishte vjedhur një peshqir.

Shumica e grupit të Teme Sejkos, siç i quanin, kishin qenë në çetën “Çamëria”. Më 1949, Rexho Hiso nga Sigurimi i Shtetit bashkë me një oficer grek i mblodhën ish-partizanët çamë dhe u thanë të venin në Greqi të luftonin. Skënderi u ngrit e refuzoi hapur duke thënë se mund të përgatitet një Tivar tjetër.

Me këtë iu vu vula Skënderit si organizator. Me këtë rast u internuan njëqind e gjashtëdhjetë e katër çamë, dhe duke iu bashkëngjitur dyqind çamëve të tjerë, i vunë të hapnin rrugën Gramsh-Lozhan me punë të detyruar për tetë muaj me radhë.

Arrestimi i grupit të Teme Sejkos prej treqind e shtatëdhjetë e katër vetësh u bë me bujë të madhe. Ata i arrestuan brenda një ore.

Pjesa më e madhe, nën dhunën e torturave më të tmerrshme, pranuan alla-Dreyfys pjesëmarrjen në komplot dhe të mendosh se ishim më 1960 e jo në vitin 1906!

Paralelizmi çuditërisht përkonte në etnitë që u përndoqën; hebrenjtë e Alfred Dreyfysit dhe çamët e Teme Sejkos. I ishte vetë Teme Sejko, i cili pranoi para Kadri Hazbiut e Nevzat Haznedarit të tregonte përralla me mbret, me flotë, me Panajot Plak, me të gjallë e fantazma, aksione të denja për trille policeske “sepse e kërkonin interesat e partisë”… Gjyqi do të ishte një shoë, konsum për propagandë, kundër agjenturave imperialisto-revizioniste.

U kujtua vonë Temja i varfër e kur humbi shpresat, mbas vendimit i tha Kadri Hazbiut: -Qen, më tradhtove! – Temja kishte qenë komisar i brigadës së parë dhe thonë se Mehmet Shehu deshi ta takojë mbas vendimit, mirëpo Kadri Hazbiu ia privoi këtë kënaqësi, sepse një natë më përpara e ekzekutoi me flakëhedhëse.

Thonë edhe se e ka mbytur në birucë me duar Mihallaq Ziçishti. Me Temen u pushkatuan dhe Tahir , Avdul Resuli, Hajri Mane, Ali Arapi, Shaban Refati, Taho Sejko, Ilia Gjyzeli, (kunati i heroit të popullit) e të tjerë. Nevruz Bejleri nga Libohova i cili kishte prurë kokën e Izet Osmanit nga Greqia, iu kërkua dëshmi sikur Izeti ishte gjallë.

Nevruzi s'pranoi, kështu që e pushkatuan pa gjyq. Nga farefisi i heroit Ali Demi ishte edhe gazetari kurajoz Vehip Demi, i cili plot trimëri kishte kritikuar Nexhmije Hoxhën dhe Liri Belishovën në Konferencën e Tiranës më 1956, por më vonë ishte zhdukur pa nam e nishan nga sigurimi. Kohët e fundit prunë dhe Kasem Demin, një burrë i urtë, me siguri viktimë e radhës.

Një fund tragjik pati familja e Teme Sejkos. Artan Qirko ishte i dënuar me një grup me Bashkim Sejkon, djalin e Temes.

Gjatë procesit në hetuesi, Artani me dëshminë e tij e rëndoi pozitën prej të akuzuari të Bashkimit, në këmbim të uljes së masës së dënimit që vetë Artani do të merrte. Më pas, Bashkimin e pushkatuan. Artani më tregonte se kishte qenë një djalë inteligjent e shumë i sjellshëm.

Më vonë arrestuan djalin e dytë, Mondin, ndërsa e ëma vrau veten.
Aty gjeta edhe Rexho Plakun me mendje të qartë, ish-luftëtar i luftës së Vlorës më 1920, ish-partizan e njeri me influencë të madhe në Çamëri. Ia doli të mbijetojë e të shkojë pranë familjes edhe pse kaloi nëntëdhjetë vjetët.

Një figurë tragjiko-komike ishte Ali Goxhaj. Edhe ai i përkiste agjenturës së grupit të Teme Sejkos. Torturat e kishin shkatërruar dhe që në pamje të parë të krijonte përshtypjen e njeriut të sëmurë psikik.

Torturuesit kishin vulosur një karakter tjetër tek ai. Aliut i ishte formuar në tip vuajtja nga sëmundja e vigjilencës dhe denoncimit. Ai sapo të dëgjonte ndonjë fjalë të dyshimtë për Enverin apo ndonjë udhëheqës tjetër (shpesh kishte njerëz që e bënin qëllimshëm), vraponte te polici që rrinte roje tek dera dhe i raportonte, mirëpo nuk i merrej parasysh, meqë e quanin të sëmurë.

Një ditë isha me mikun tim Jamarbër Markon në zyrën e riedukimit duke bërë shaka me Dalip Zhabolin që ishte kryetar i këshillit të riedukimit. Nga dera e hapur shikojmë Sadikun, policin, që ishte rojë e brendshme, tek i thoshte Aliut:
– Shko atje tek Dalipi dhe njoftoje për të gjitha.

Sadiku që s'dëgjonte mirë nga veshët, ishte një tip që i pëlqente shakatë. Dalipi që ishte gati për qyfyre, mbylli derën dhe duke nderuar me grusht, i tha:
– Rroftë Enver Hoxha!- Aliu nderoi dhe thirri mbas tij Dalipi: – Rroftë Mehmet Shehu!- Aliu po ashtu. Dalipi:

– Rroftë Petro Marko!- Aliu përsëriste me të madhe, ndërsa ne dolëm duke u gajasur. Shumë të tjerë që nuk ia thoshin humorit të burgut, e shihnin vëngër, por Aliu i gjorë si shumë shokë të tij, ishte viktimë e së njëjtës makinë të tmerrshme kriminale.

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.