Rreth Artikullit

Autori

Shqiptarët dhe grekët në analet e diplomacisë botërore -Mihal GJERGJI

 

 

Asnjë vend ballkanik s'mund të pretendojë se politika e tij e jashtme është e pavarur nga ndikimet dhe pesha e asaj , ndërsa kjo e fundit, kurrsesi s'mund të veprojë jashtë ndikimit të politikës botërore. Kjo praktikë ka kushtëzuar historinë qindravjeçare të botës dhe ka ndikuar në aleancat e krijuara mes shteteve në përputhje me interesat e tyre. Nisur nga gjeopolitika, nga përkatësia fetare apo pretendimet teritoriale, edhe brenda gadishullit tonë, rrallë ka mbretëruar paqja.

Fatin e popujve të vegjël e kanë përcaktuar interesat e vendeve të mëdha. Pushtuesit kanë zvendësuar njëri-tjetrin, ndërsa popujt, të lodhur nga luftrat, kanë ëndërruar paqen e munguar me fqinjët natyrorë dhe me të tjerët matanë deteve. Kështu është edhe historia e popullit tonë dhe mardhënjet e tij me fqinjin verior, serbin, dhe atë jugor, grekun. Këto mardhënje të pasqyruara në  analet e historisë, përshkruan edhe publicisti i mirënjohur Nuri Dragoj.

Në praktikën e studiuesve , jo rrallë ndodh që të flitet vetëm për veprat letrare apo historike, duke lënë në hije apo marrë shumë pak me individualitetin dhe personalitetin e autorve të tyre. Ndoshta ecet me mendimin se për ta, më mirë se kushdo flet vepra e shkruar. Mirëpo në nga të tjerët, gjykova të ndalesha fillimisht te autori, për dy arsye: Së pari, janë të paktë ata, që halleve të tyre të përditshme u shtojnë edhe edhe ato të vendit të cilit i përkasin, jetojnë bashkë me to, shqetësohen prej tyre dhe angazhohen për ti zgjidhur me aq sa munden. Së dyti, janë akoma më të paktë ata që, në këtë kohë të ngopur me urrejtje, guxojnë të thonë të vërtetat e hidhura dhe të “trazojnë” kështu “harmoninë” dhe “mirëkuptimin” me fqinjët tanë. Kjo, për arsye se këta të fundit, nuk janë më përtej sinoreve, por në mes të Tiranës, me përfaqësitë e tyre, bizneset dhe lidhje të shumta. Nuri Dragoj  qëndron denjësisht në krahë të P. Xhufit, B. Metës, Sh. Delvinës, H. Kokalarit, A. Baletës e shumë studiuesve të tjerë vendas dhe disa studiuesve gjermanë, anglezë apo italianë, albanologë të shquar, të cilët guxojnë të thonë të vërtetën edhe pse mallkimi i kryqit i ndjek prapa si hija e vdekjes.

Vini re: përpjekja e autorëve të mësipërm e bashkë me ta edhe e Dragoit, mban brenda sakrificat e pamata të rilindasve tanë, merakun e Nolit e të Konicës. Vepra e këtij të fundit “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” kishte si mision njohjen e shqipërisë në vendet e zhvilluara perëndimore dhe e realizoi një gjë të tillë. Ndërsa Dragoj, shpalos botës dhimbjen shqiptare me gjithë përmasat e saj, në një kohë që bota ka filluar të korigjojë vetveten, megjithse me ritme të ngadalta…Mbasi ke lexuar këtë libër dhe  ke fazën e parë njohëse, falë mjeshtërisë së autorit, imponohesh në etapën psiko-motorre. Materiali i servirur të ngarkon emocionalisht, prodhon ndjenjë dhe  s'mund të heshtësh përballë të vërtetave tronditëse. Libri në fjalë, padyshim që është një vepër dinjitoze, por, jo thjesht me hulumtime nga realitetet historike. Ngjarjet analizohen në kohë. Në skenën e historisë zbresin personazhet  përcaktues, të cilët kanë luajtuar të kushtëzuar nga interesat e vëndeve që përfaqësojnë, mandej, kanë gjykuar e vendosur padrejtësisht edhe për fatet e vendit tonë të vogël e të pambrojtur. Autori trajton shkencërisht, mbështetur në prova e fakte të shumta, historinë e Epirit, shqiptarët dhe grekët. Mandej flet për revanshin e helenizimit të shkollave shqipe, çështjen e Çamërisë, Himarën dhe problematikat e saj të stisura e krijuara artificialisht nga fqinjët tanë, fushatën e madhe të ndërrimit të emrave dhe kombësisë së emigrantve shqiptarë dhe atyre që ata i quajn banorë të “Vorio-Epirit”dhe së fundi trajton mardhënjet midis popujve dhe qeverrive.

Mjeshtëria e publicistit, historinë e varrosur në arkiva, e ka ngritur në lartësinë e artit klasik. Autori, para se të jetë në mirëkuptim me të tjerët, është në paqe me vetveten. Larg polemikës shterpe, moralizimeve të tejkaluara dhe tendecës që, jo rrallë e gjen në vepra të këtij lloji, historia zhvillohet në shtartin e saj të natyrshëm, plot të papritura, por me vërtetësi e argumenta të pakundërshtueshme.

Shovinizmi ballkanik është gati i hipotekuar dhe pronësia e tij njeh si zotër grekët dhe serbët.Vetëm dhimbja mbetet përherë shqiptare. Autori s'merret as me Krishtin dhe as me Muhametin, as me prifterinjtë e dhënë mbas dijes dhe as me murgjërit e përkushtuar mbas adhurimit. Toleranca dhe paqja janë dy boshte binjake të cilat lartësojnë arkitekturën e veprës. Ai flet për trojet shqiptare dhe zotrit e tyre në shekuj. Misioni i tij është fisnik dhe ka të bëjë me “detyrimin qytetar për të ruajtur të paprekur identitetin e kombit”. Dhe këtë të fundit, s'ke si ta duash pa e njohur më parë në gjithë gjerësinë e tij.Të jesh në anën e pakicës  nuk është aspak tmerruese, ndërkohë që mirësia e saj ka njohur vetëm rritje dhe ti e ndien veten pjesë të së tërës. Fjalët e autorit nuk shpojnë si shigjetat në eshtër. Gjuha me të cilën shkruan është lakonike, e gjallë, plot figuracion dhe me ngjyrime poetike, ndoshta për të zbutur dhimbjen e lexuesit që ndër deje mban ende gjak shqiptari.

Me imagjinatën time u mundova t'a konvertoja emrin e autorit nga Nuri në Niko, mirpo asgjë s'ndryshoi brënda meje, as brenda librit. Po kush është realisht autori dhe ç'përfaqëson ai?! Ai është vetvetja, rracë e pastër shqiptari me rrënjë e me dega. Stacioni në të cilin ka ndaluar nuk është streha e patriotizmit. Asesi. Mbi kokën e tij s'bën hije asnjë kapele ministri, deputeti apo misionari. Ai është ngjitur në lartësi të Trebeshinës dhe shikon sinoret e përgjakura nga fqinji jugor, greku. Në këmbët e malit dëgjon rënkimin e varreve stërgjyshore dhe tronditet nga zhvarrimi i tyre i turpshëm në këtë fillim shekulli, në sy të stërnipërve që s'dinë të protestojnë dhe të botës që po çuditet me çmëndurinë e të sëmurve shovenë. Si thoni ju, duhet të hesht apo ta ngrerë zërin deri në kupë të qiellit?! Le të dëgjojnë edhe Perënditë e përgjumura. Shtresëzimet e së vërtetës janë të pafundme, ndaj s'mundem që të ndryshoj burimet e referencës për të mënjanuar përsëritjen e autorit. Shpresoj të më mirëkuptojë.

“Dosja e “Vorio-Epirit” është një dosje voluminoze, e gozhduar në arkivat helene, në të cilat kufiri shtetëror i dy vendeve ballkanike  është mbuluar, jo rallëherë, me pellgje gjaku”. Me kalimin e viteve, qëllimi ka mbetur po i njëjtë, ndërkohë që ka ndërruar strategjia e tyre.  Dhe kjo strategji e shtetit helen, e mishëruar në platformën e “Megaliidesë”, është bërë aktive  qysh në vitet 1844, kur kryeministri Koletis deklaroi hapur emrat e vendeve të cilat duhet të aneksoheshin nga Greqia. Kjo muzikë funebre që s'ka pushuar asnjëherë, veçse ka ndërruar interpretuesit. Më 28 tetor 1940 Kryeministri Metaksa miratoi grek për gjendjen e luftës ndaj Shqipërisë. Pretendimin shovinist s'harron ta përsëris në Parlamentin grek, 116 vjet më vonë (12 qërshor 1960), po Kryeministri i këtij shteti, Georges Papandreu:”pretendimet tona për Epirin e Veriut janë të shenjta dhe të patundura”. Ndërsa Kryeministri tjetër Micotaqis, më 11 korrik 1993, deklaroi se “ gjuha greke flitet në Epirin e Veriut që nga koha e Homerit”( ndërkohë që Catapano-s dhe Horald Ëhitehall, ilirishtja është folur në këto troje mëse 12.000 vjet më parë), e duke përfunduar te drejtues të  Ministrisë së Jashtme greke të cilët, pas tragjedisë së Gërdecit të 15 marsit 2008, gjatë “keqardhjes” dhe “ngushullimeve”, përmëndën “nevojën” e riorganizimit të varrezave greke në grykën e Këlcyrës.

Ç'emërtim mund t'u japim këtyre deklaratave të politikanve të lartë, papërgjegjshmëri, keqëdashje apo qëndrime shoviniste tejet armiqësore, të planifikuara me kujdes e të zbatuara po kështu nga makineria shtetrore greke. Ofensiva e helenizimit të trojeve shqiptare, asnjëherë si ka ndalur ritmet, duke ecur kështu mbi shinat paralele: kisha dhe shkolla greke kudo, duke i përdorur pastaj si prova autentike të besimit dhe kombësisë. Për realizimin e kësaj strategjie, armatat asnjëherë s'kanë munguar. Përpos materialeve të shumta prapagandistike të makinerisë shoviniste greke, autori pranon të analizojë edhe një libër të nivelit mediokër të mbushur me mallkime dhe harta fantazmë “Northern Epirus crucified (Vorio-Epiri i kryqëzuar) që mban autorësinë e të Drinopulit, “hirësisë” së tij Sevastianos, i cili na qënka i shqetësuar për 400 mijë grekë (brenda teritorit shqiptar!) të mbetur pa kryqin dhe pa Krishtin. Çfarë çmëndurie. Dhe këto pretendime ngrihen në një kohë kur Kishën Ortodokse Shqiptare e drejton misionari grek me emrin Janullatos. Shqipëria etnike, para ardhjes së turqve në Ballkan, zinte një sipërfaqe prej 110.000 km2. “Pas luftës së vitit 1876-1877 me Rusinë, Turqia dhuroi, në interes të popujve ortodoksë të Ballkanit, rreth 25.5000 km2 nga sipërfaqja e tokave shqiptare”.

Masakra e radhës u bë në vitin 1913, duke plotësuar kështu oreksin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Tendenca për të paraqitur shqiptarët si të ardhur në këto troje, është bërë për të justifikuar coptimin dhe ndarjen e tyre. E që të realizoheshin këto, më parë duhet të zhdukej kujtesa kombëtare, si hap i parë i së cilës është edhe trashëgimia e primatisë ilire. Këto arkiva që mbanin brenda historinë e 700 viteve, u dogjën në Manastirin e Shën Naumit në vitin 1850-1851. Marrveshjet e e fshehta të drejtuesve të lartë të Patriakanës së Stambollit dhe ujdia mes turqve dhe grekve, për të quajtur turq-ç'janë muslimanë dhe grek-ç'janë ortodoks, institucionalizuan goditjet e mëtejshme ndaj faktorit shqiptar. Sigurisht që shqiptarët s'kanë qëndruar duarkryq, por, rruga e tyre ka qënë e gjatë e plot dhimbje. Në kohën që përgatitej coptimi i Shqipërisë (traktati i Shën Stefanit dhe më vonë Kongresi i Berlinit), rilindasit shqiptarë, nën kryesinë e Avdyl Frashërit përgatitën mbledhjen e Kongresit të Manastirit, qëllimi i të cilit ishte hartimi dhe njehsimi i alfabetit të gjuhës shqipe.Vëllezrit Frashëri krijojnë në Stamboll shoqërinë “Drita” (shoqëria për zhvillimin e gjuhës shqipe). Projekti i Autonomisë i hartuar nga Komiteti i Stambollit(1878), filloi të marrë jetë nga kontributet e veprimtarve të palodhur; Pandeli e Koço Sotiri, Koto Hoxhi, Hanko Minxha, Petro Nini Luarasi, Petro Kondi, Ibrahim Dragoti, Anastas Kullurioti e shumë atdhetarë të tjerë.

Qëndresa e atdhetarve bëri që në vitin 1896, në Nivan të Gjirokastrës, të mbyllnin shkollën greke për ta zvëndësuar atë me një shkollë shqipe, paçka se dhespot Grigori i Mitropolisë së Gjirokastrës, vazhdonte mallkimet dhe shkishërimet e patriotve. “Në vitin e fundit të shekullit XIX, Abati i Mirditës, imzot Prenk Doci, i mbështetur fuqimisht edhe prej Klerit Katolik Shqiptar, themeloi shoqërinë letrare me emrin “Bashkimi”…dom Ndre Mjeda, gjuhëtar dhe poet, në vitin 1902, themeloi shoqërinë letrare “Agimi”me ABC-në e saj”. Mirpo, pas çdo hapi të bërë nga patriotët shqiptarë, kundërvepronte egërsisht barbaria greke që synonte shuarjen e gjuhës shqipe me çdo kusht. Koto Hoxhi rrihet barbarisht gjersa vdes, ndërsa Naum Veqilharxhi, mbasi përpiqet maksimalisht të bindë Patrikun e Stambollit që të lejojë përdorimin e gjuhës shqipe, helmohet nga të njejtat duar dhe gjen vdekjen. Petro Nini Luarasi, pas grindjeve të shumta me Mitropolitin e Kishës Ortodokse Greke, Qirilli, pëson të njejtin fat tragjik. Sipas Mihal Gramenos “ Petro Nini u martirizua dhe vdiq i helmuar prej xhonturqve dhe prej prapagandës greke për Shqipërinë”. Babë Dudë Karbunara kërcënohet me vdekje dhe i digjet shtëpia. Në moshën 30 vjeçare, papa Kristo Negovani theret me thika(12 shkurt 1909) prej mercenarve të peshkopit grek. Patrioti at Stath Melani, nga fshati Melan i Përmetit, pjesmarrës i Kongresit të Manastirit, rivritet përsëri pas 100 vjetësh. “Unë nuk jam mjaft i zoti-shkruan Fan Stilian Noli- të përshkruaj shërbimet e mëdha që i ka sjellë atdheut at Stath Melani,…”.

Më 24 dhjetor 1917, barbarët e vranë, i prenë edhe kokën, ndërsa trupi i tij u varros në Kishën e Shën Kollit. Çuditërisht shkishërohet mbas vdekjes nga autoritetet aktuale të Kishës Autoqefale Shqiptare, sepse predikonte në gjuhën shqipe dhe ishte organizator i rezistencës kundër shovinizmit grek. Sa keq për hirësinë që drejton këtë Kishë! Po e keqja vazhdon edhe më tutje. “Emrin e tij e ka mbajtur shkolla e  Petranit për dekada të tëra, derisa një ditë, dikush urdhëroi heqjen e Tij…” Sa turp për politikanët që kanë informacion dhe s'reagojnë !

Qëndrimi i autorit Nuri Dragoi nuk është diabolik, përkundrazi, shumë racional dhe tepër dinjitoz. Kontributi i tij me  publikimin e këtyre fakteve tronditëse, është shumë i çmuar. Le ti mësojnë këto të vërteta të hidhura edhe nxënësit shqiptarë ( të cilët janë më shumë se 200 mijë) jashtë atdheut që, për fat të keq, gjuhën e nënës e mësojnë si gjuhë të dytë, nëmos e kanë braktisur fare, nën presionin e vendit “mikpritës” apo të detyruar nga kushtet. Fëmijët tanë duhet të falin, por s'duhet të harrojnë. Le të vazhdojmë me tërësinë teritoriale të Arrnautllëkut (Shqipërisë) në kohën e administrimit perandorak osman të para luftës së parë botrore (1910). Të katër vilajetet zinin 90.270 km2 me 3.804.000 banorë, prej të cilave mbi tre milion shqiptarë (serbë 5% ndërsa grekë 4%). Vilajeti i Kosovës zinte 32.900 km2, i Manastirit 28.500 km2, i Janinës  17.900 km2, i Shkodrës  10.000 km2. Duke i parë pas 100 vitesh, trojet shqiptare janë ende të mbytura nga gjaku. Maskrat e serbit në veri dhe të grekut në jug, vetëm imagjinata mund t'i përshkruaj.

“Masakra greke u bënë ngado. Më 5 shkurt 1914 , në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijët, ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës, ku i vrau në mënyrë barbare… Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindrit…ushtarët i merrnin me radhë, u prisnin kokat dhe i hidhnin në një pus. Ndërsa gratë, pasi i  përdhunuan i vranë me bajoneta” Në Panarit të Korçës andartët therën 275 vetë, në Kodër të Hormovës (Tepelenë-1914) u thern me thika 260 burra e fëmijë, ndërsa në teritorin e Çamërisë prej 1950 km2 masakrat kanë ndjekur njera-tjetrën në mënyrë sistematike me qëllimin e shfarosjes së plotë të popullsisë shqiptare.”

Nga 27 qërshori 1944, filloi masakra, ku u vranë, u therën dhe vdiqën nga torturat mbi 600 gra, burra dhe fëmijë. U çnderuan gratë dhe vajzat e , të tjerat u mbyllën në burg. Deri më 7 mars 1945, ishin vrarë mbi 7100 vetë, , ishin djegur dhe shkatërruar 68 fshatra me 5800 shtëpi banimi, 83 faltore islamike…ishin grabitur mbi 130 mijë bagëti të imta, 4000 gjedhë, 11.500 ton drithra, 3.800 ton vaj ulliri, mbi 50 mijë napolona ari…” Gjenerali grek Zervas e realizoi masakrën në bashkpunim të plotë me gjermanët. Pronat e ligjëshme të çamëve të trashëguara brez pas brezi, i kaluan në zotrim Bankës Agrare me qëndër në Gumenicë dhe Janinë. Duke e paraqitur vendin tonë si çerdhe të myslimanizmit, ortodoksia greko-sllave ka planifikuar e realizuar goditjet kohë pas kohe mbi popullsinë e teritoreve shqiptare.

Plagët që ende kullojnë gjak janë edhe ato të Kosovës. Autori flet me gjuhën e statistikave: nga 28 shkurti 1998 deri në  10 qërshor 1999 nga Kosova u ndoqën me lemeri rreth një million shqiptarë, u vranë mizorisht mbi 15.000 civilë, u plagosën 3219 vetë, dhe u burgosën qindra të tjerë. U shkretuan 1007 fshatra nga 1392 që ka Kosova, u dogjën mbi 212.347 shtëpi e 218 xhami, u përdhunuan mbi 20.000 femra etj. Dhe të gjitha këto u bënë në këtë shekull dhe në sytë e gjithë botës, me një urrejtje dhe egërsi të paparë. Pa angazhimin e faktorit shqiptar brenda dhe jashtë vendit, shtetet e fuqishme demokratike të botës perëndimore, s'mund të realizojnë korigjimet aq të domosdoshme të pasojave të tragjedive që kemi kaluar. E kam fjalën për  inteligjencën dhe atë pjesë të shëndoshë ta aktorë♪ve të politikës, të cilët Atdheun e kanë brenda zemrës së tyre. Për fat të mirë, ora e mbarësisë ka filluar të bjerë.

Ndërkohë që shqiptar dhe ai grek kanë tendencën e miqësisë, mirëkuptimit dhe shkëmbimit reciprok të vlerave të cilat s'i mungojnë as njërit as tjetrit, qarqe të caktuara shoviniste të fqinjit tonë jugor, i cili lindi si shtet në vitin 1821, megjithse kanë mbetur në minorancë, kanë ndërruar vetëm taktikat:”mungesa është zvëndësuar me prezencën, indiferenca me interesimin dhe qetësia me dialogun”, dhe kjo është shumë moderrne për ata që dinë të arsyetojnë. Si përfundim do të thosha se “Shqiptarët dhe grekët” është një studim i detajuar, i sukseshëm, dhe plotësisht i pjekur për të dalë para lexuesve, por, mbase pak i vonuar. E them këtë, mbasi plagët e mahisura që therin deri në sfilitje, kanë nevojë për melhemin e fjalës, ndërkohë që inteligjenca i kalon mendimet në filtrin e llogjikës dhe kërkon shtratin e nevojshëm për të mbjellë farën, edhe pse koha jo gjithmonë e favorizon një gjë të tillë. Kur i sëmuri shkon në shtratin e spitalit, mjekët nxitojnë t'i bëjnë terapinë. Bashkë me ta  edhe ne harrojmë që mekanizmi gjigand i kohës nuk di të ndalet dhe mokra e saj bluan pa mëshirë ditët dhe jetët tona.

Sikur të hartohej një Enciklopedi për trojet shqiptare, padyshim që kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e saj. Ky libër mund të shërbejë  si  objekt referimi për politikanët aktivë, punonjësit e diplomacisë, historianët, studiusit dhe lexuesin e gjerë, të cilët janë të interesuar të njohin rrugën e vështirë nëpër të cilën ka ecur vendi ynë dhe martirët e tij shekullorë. Ndërsa lexuesi e ka mirëpritur këtë libër, kritikët ende s'dëgjohen, edhe studiuesit. Mbase përligjet disi pritja  e tyre, por, ky ngurim besoj që të jetë i përkohshëm. Trimi i mirë ka nevojë për praninë e shokëve. Askush s'mund të mendojë se autorit të librit, do  ti afronin një kafe “me pak”, tamam si Petro Ninit në Korçë. Kurrsesi. Jo vetëm se kohët kanë ndryshuar, por, ata që planifikojnë e realizojnë të keqen, s'janë vetëm të mënçur, janë edhe të kujdeshëm për të mos përsëritur dy herë të njëjtat gabime. Pas Nuri Dragoit, Gëzim Vodës, Kasëm Trebeshinës e dhjetra intelektualve të tjerë përmetarë, do të grumbulloheshin qindra e qindra të tjerë që i duan e i çmojnë aq shumë, dhe si ortek i fuqishëm do të fshinin ç'të gjenin përpara. Monument i parë do të ngrihej  në vendlindje të autorit, i dyti në qëndër të Përmetit dhe i treti në mes të Tiranës, ndërsa libri do të botohej e ribotohej përsëri. Mirpo vdekja më e sigurt është heshtja, harresa e plotë. Dikush mund të thotë: E ç'punë do t'i prishnin grekut studimet e intelektualve shqiptarë, asnjë gjemb s'do tu hynte në këmbë. Historia nuk shkruhet për të dëmtuar marrdhënjet apo fqinjësinë, ajo bëhet në funksion të kujtesës kombëtare, dhe këtë e bën çdo popull.

Ndodh, që historitë e hidhura  të përsëriten, ashtu siç ndodhin shumë gjëra që s'i dëshirojmë. Nga sirtarët ku arkivohet urrejtja shekullore, fqinjët tanë veriorë dhe ata  jugorë, kohë pas kohe nxjerrin planet e asgjesimit të rracës tonë vitale, të shkatërrimit si popull e si komb. I rifreskojnë këto plane, i përshtatin me kohën, u ndryshojnë emërtesat, por, asnjëherë s'harrojnë parimin e ortodoksisë, pushtimin shpirtëror: sa më shumë kryqe dhe kisha, patjetër edhe shkolla në gjuhën e tyre, me qëllimin final-tjetërsimin e kombësisë dhe humbjen e identitetit tonë kombëtar. Problemet të cilat janë bërë objekt studimi nga Nuri Dragoi, janë madhore, sepse janë kombëtare, janë të dhimbshme, por të vërteta, janë aktuale, por kërkojnë guximin intelektual, jo vetëm të autorit, i cili pa këtë guxim s'do arrinte të realizonte këtë vepër dinjitoze, por edhe të intelektualve të tjerë, të inteligjencës shqiptare në tërësi dhe të studiuesve të historisë në veçanti. Nuri Dragoi ka një idealizëm të dukshëm, që ja ushqen shpirtin: atdhetarinë. S'besoj se mund të ketë ideal më të lartë që ta fisnikërojë njeriun.

Publicisti dhe intelektuali i shquar Ismet Toto, shkruan: ”Ne shqiptarët duhet t' ngulim sytë me trimëri në problemet e vështira, që janë njëkohësisht çështje jetike për qënien tonë si komb më vete. Duhet të shquajmë kthjelltësisht plagët kryesore të shoqërisë sonë, të zbulojmë shkaqet dhe ti luftojmë me energji dhe vazhdim, ashtu siç kanë bërë gjithë popujt guximtarë që rrojnë e mbretërojnë dhe sot e gjithë ditën”.

Nga Mihal GJERGJI

Studiues

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.