Rreth Artikullit

Autori

Shtrembërime të historisë së Epirit nga Akademia e Athinës

Profesor Kristo Frashëri:

 

Cilët qenë banorët e Epirit të lashtë? Shqiptarët dhe grekët, pasardhës të ilirëve dhe helenëve të lashtë, banojnë në fqinjësi me njëri-tjetrin që nga periudha parahistorike. Gjatë shekujve kufijtë midis vendbanimeve të tyre nuk kanë qenë asnjë…herë të prera nga pikëpamja e përkatësisë etnike të banorëve. Kjo ka ndodhur ngase këto vise kanë qenë më tepër se 2000 vjet nën strehën e perandorive shumëkombëshe, të tilla si Perandoria Romake, Perandoria Bizantine dhe Perandoria Osmane, të cilat lejonin lëvizjet e fiseve dhe të kombësive brenda kufijve politikë në kërkim të vendbanimeve të reja. Si kudo, edhe këtu në brezin anësor të vendbanimeve të shqiptarëve dhe të grekëve u krijuan vise me banorë të përzier nga të dyja etnitë. Një nga këto zona kufitare me të përzier shqiptare dhe greke ka qenë dhe vazhdon të jetë treva e quajtur nga helenët e lashtë Epir, nga shqiptarët e sotëm Çamëri.   Me sa dihet, bashkëjetesa për mijëra vjet e banorëve të të dy etnive në të njëjtën trevë gjeografike, nuk ka shkaktuar në të kaluarën asnjëherë konflikte etnike midis tyre. Kjo kuptohet po të kemi parasysh se të tria perandoritë e mëdha që kanë sunduar mbi ta si perandori shumëkombëshe, e trajtonin nënshtetasin si burim fisku dhe si gregar fetar, por jo si militant nacionalizmi. Puna ndryshoi kur në shekullin XIX lindën shtetet e pavarura . Kjo për arsye se lindja e tyre përkoi me shfaqjen e lakmive nacionaliste. Pikërisht në atë kohë lindën edhe lakmitë e qarqeve nacionaliste greke për të aneksuar Epirin dhe më tej viset e Shqipërisë së Jugut.   Qarqet qeveritare të Athinës dhe historianët helenë që qëndrojnë prapa tyre i konsiderojnë të drejta lakmitë e tyre nacionaliste ndaj viseve shqiptare. Madje, qarqet kishtare ortodokse të Greqisë nuk ngurrojnë t'i quajnë këto pretendime të drejta, të shenjta. Si rrjedhim, luftën për aneksimin e viseve shqiptare ato e kanë ngritur në nivelin e një kryqëzate fetare. Përkundrazi, kur ndonjë historian shqiptar i kundërshton pretendimet greke dhe ngul këmbë se ndër banorët e Shqipërisë së Jugut ka vetëm një minoritet të vogël banorësh grekë, në Ath-inë shpërthejnë britmat se në Tiranë po ringjallet nacionalizmi shqiptar. Për të justifikuar lakmitë e tyre nacionaliste ndaj viseve që nuk u përkasin, qeveritarët e Athinës dhe prapa tyre historianët helenë kanë botuar deri sot me qindra punime kushtuar historisë së Epirit ose aspekteve apo momenteve të ndryshme të historisë së tij. Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480 faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me titull “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997. Botimi i përmendur që tani kemi në tryezë ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme nga tri pikëpamje – trajton nga pikëpamja kohore në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë 4000 vjetëve; e dyta, në të kanë marrë pjesë autorë ndoshta më të shquarit e historiografisë greke të ditëve tona; e treta, nga pikëpamja e përgjegjësisë shkencore, politike, morale mban vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga emri që mban, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e Greqisë.   Ne kemi menduar se tani që Greqia ka disa dhjetëvjeçarë që është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, do ta ketë zbutur sadopak dozën e nacionalizmit dogmatik agresiv, të paktën në fushën e historiografisë, e cila e ka karakterizuar në të kaluarën. Duke kaluar nëpër duar këtë punim me veshje tipografike dinjitoze, botuar në pragun e shekullit XXI, po shohim me keqardhje të thellë se historiografia greke e ditëve tona në vend që të bëjë hapa përpara objektivizmit, racionalizmit, iluminizmit shkencor, qëndron e gozhduar pas dogmatizmit të sëmurë, nacionalizmit të mbrapshtë dhe politizimit të skajshëm të historisë. Kjo dobësi vihet re në trajtimin e të gjitha epokave, periudhave dhe temave të historisë së Epirit. Natyrisht është e pamundur që në një shkrim të shkurtër të vihen në dukje të gjitha shkeljet që përmban ky vëllim në fushën e faktologjisë dhe të metodologjisë shkencore të historisë së Epirit. Për këtë arsye, do të ndalemi vetëm në dobësitë kryesore, për të cilat nuk mund të heshtim. Këtë radhë do të përqendrohemi te dobësitë që të vrasin sytë kur lexon kapitujt e historisë së lashtë të Epirit. Ne kemi pritur që me dobësitë e kësaj periudhe të merren historianët shqiptarë të specializuar në problemet e historisë së lashtë të Epirit. Arsyeja përse ata heshtin është puna e tyre. Heshtja e tyre nuk ia heq të drejtën çdo qytetari të interesuar për ndriçimin e historisë së Shqipërisë, që të thotë fjalën e vet.   Prirja nacionaliste në trajtimin e historisë nuk është e re te qarqet politike dhe shoqërore greke. Dihet se nga pikëpamja politike Greqia e re lindi në vitin 1821. Në atë kohë, qarqet politike, shoqërore, intelektuale kur shteti grek ishte ende në shpërgej ishin ushqyer nga dy mëndesha ideologjike – nga kultura racionaliste, iluministe, demokratike e Greqisë antike dhe nga kultura dogmatike, nacionaliste, teokratike e Perandorisë Bizantine. Dihet se këto dy faktorë të fuqishëm kulturorë nuk pajtoheshin midis tyre, për arsye se njëra ishte në thelb pagane, liberale dhe demokratike, kurse tjetra ishte kristiane dogmatike dhe perandorake. Në këtë ballafaqim të dyja ideologjitë kishin të përbashkët vetëm gjuhën greqishte. Përkundrazi, nga periudha historike ato qëndronin me shekuj larg njëra-tjetrës. Vetëkuptohet se presionin më të fuqishëm në brezat që ndërmorën revolucionin grek e ushtruan për shkak të afërsisë kohore, komponentët e ideologjisë bizantine. Përkundrazi, komponentët e ideologjisë klasike ishin një kujtim i largët, pothuajse të panjohura nga brezat që ndërmorën revolucionin çlirimtar grek. Megjithatë, nga bota klasike greke kultura bizantine përvetësoi vetëm poemën e Homerit mbi luftën e Trojës. Poema homerike u bë në një farë shkalle Ungjilli i dytë pedagogjik, i cili u mësonte brezave grekë se atë që nuk mund ta fitonin me trimëri, mund ta realizonin nëpërmjet Kalit të Trojës me dredhi. Dredhinë si komponent të identitetit grek e ka përjetësuar që në shekullin I p.e.s. poeti i madh romak Virgjili në poemën e tij të pavdekshme “Eneida” (II, 49) me vargun me të cilin prifti trojan Laokont i porosiste bashkëqytetarët e tij që të mos e pranonin si dhuratë kalin grek: “Timeo danaos et dona ferentes” (Trembem nga greku, edhe kur të jep dhuratë). Qarqeve politike të Greqisë së re u pëlqeu përkëdhelia e Katerinës së Madhe, caresha ruse e shekullit XVIII, e cila preferonte që në Bosfor të sundonte më mirë kamillafi i patrikut ortodoks sesa turbani i sulltanit islamik. Me fjalë të tjera, ajo i nxiste grekët e rinj të rimëkëmbnin Perandorinë Bizantine me kryeqytet Kostandinopojën mesjetare dhe jo me Athinën e Perikliut. Natyrisht që kjo nxitje ndikoi shumë në aspiratat që patën shtetarët e Greqisë së re. Por ëndrra e mëkëmbjes së Bizantit mesjetar, siç dihet dështoi. Madje, historia e shtetit të ri grek është historia e dështimeve të njëpasnjëshme. Stambollin e humbi përgjithmonë. Nga Azia e Vogël hoqi dorë e turpëruar nga disfata ushtarake. Thrakën lindore nuk e përfshiu dot. Edhe Maqedoninë veriore kaq të lakmuar prej saj nuk e shtiu dot në dorë. Gjithashtu në aneksimin e Qipros dështoi. Në Epir siguroi vetëm shkëputjen e gjysmës së saj jugore. Megjithatë, lakmitë që ka Athina nuk janë shuar. Ajo ka nevojë të domosdoshme për një fitore. Për fitore ka më tepër se kurdoherë nevojë tani që është e mbytur në borxhe. E vetmja shpresë për të korrur fitore i kanë mbetur – një fitore morale me Maqedoninë për ta detyruar të ndryshojë emrin dhe një fitore territoriale me Shqipërinë për të shkëputur prej saj autonominë e “Vorio-Epirit”.   ***   Si argument për të shkëputur autonominë e “Vorio-Epirit”, ajo përpiqet të argumentojë pa prova bindëse se Epiri historik, ku, sipas saj, bëjnë pjesë qarqet e sotme të Gjirokastrës dhe të Korçës, ka qenë që në agimin e historisë dhe vazhdon të jetë edhe sot tokë greke. Për këtë qëllim, ajo ka venë dhe vazhdon të verë në lëvizje armatën e historianëve të saj. Artileria më e fundit që ajo ka vënë në veprim në këtë mes është monografia e përmendur e Akademisë së Athinës, botuar më 1997. Monografia e përmendur e Akademisë së Athinës ka përsa i përket historisë antike të Epirit, një veçori të cilën nuk e kemi ndeshur më parë. Historianët grekë, kurdoherë krenarë për të kaluarën e tyre të lashtë, kanë preferuar që historinë e tyre “zyrtare” ta shkruajnë ata vetë. Kjo sepse, sipas tyre, historianët jo grekë nuk janë në gjendje ta kuptojnë dhe ta realizojnë këndvështrimin se historia e helenizmit është thelbi i historisë së Greqisë. Këtë radhë puna ka ndryshuar. Historinë e helenizmit parahistorik, protohistorik dhe klasik në monografinë e përmendur akademike e ka shkruar një historian anglez – Nicholas G.L.Hammond, në atë kohë profesor në Universitetin e Bristolit, Angli dhe njëkohësisht profesor honorar në Universitetin e Janinës, Greqi. Vetëm pasi i lexon kapitujt të cilët trajtojnë qytetërimin helenik në Epir, mëson arsyen përse kolektivi i historianëve grekë ka preferuar t'ia besojë profesorit britanik pjesën e parë të vëllimit. Nga mënyra se si ai e ka trajtuar historinë e lashtë të Epirit, N.G.L. Hammond ua ka tejkaluar grekëve në vlerësimin apollogjetik të helenizmit në Epir.   Ne e kemi njohur nga afër Hammondin, gjatë vizitës që ai bëri në Shqipëri më 1972. Nuk e patëm të vështirë të bindeshim se ai nuk e fshihte mospërfilljen ndaj historisë shqiptare të së kaluarës dhe të së tashmes. Ai kërkonte me ngulm të gjente me çdo kusht çdo thërrmijë të kulturës greke në Shqipëri dhe nuk pranonte të merrte në konsideratë asnjë gjurmë ilire, edhe kur këto objekte qenë me shumicë. Kur ne i sugjeronim të shihte objektet ilire të ekspozuara në muzetë tona, ai përgjigjej: “Nuk më interesojnë objektet ilire, më interesojnë vetëm gjurmët helene”. Edhe pyetjes sonë se si mund të vlerësohet një gjurmë e veçuar greke në morinë e objekteve ilire, të zbuluara në të njëjtin vend, ai përsëri përgjigjej: “Unë nuk merrem me objektet ilire, unë merrem vetëm me kulturën greke”. Kjo mospërfillje ndaj kulturës ilire bie në sy gjatë gjithë paragrafëve që kanë dalë nga pena e tij.   Le ta trajtojmë më nga afër historinë e Epirit të lashtë.   * Gjurmët më të hershme arkeologjike të jetës njerëzore në truallin e sotëm të Greqisë dhe Shqipërisë të ndriçuara deri tani na çojnë në fundin e Paleolitit të mesëm, më saktë në fundin e të ashtuquajturës periudhë musteriane. Në historiografinë botërore mbisundon pikëpamja se për mijëra vjet me radhë banorët e kësaj periudhe qenë fise baritore shtegtare, të cilat lëviznin në kërkim të kullotave për tufat e tyre. Edhe gjatë Paleolitit të vonë në këto treva vazhduan të banonin fise baritore shtegtare. Përderisa ishin fise shtegtare, për përkatësinë e tyre etnike as që mund të bëhet fjalë. Puna ndryshoi në periudhën e Neolitit, kur fiset shtegtare në sajë të bujqësisë u shndërruan në popullata sedentare pavarësisht se krahas tyre vazhduan të ekzistonin fise shtegtare stinore. Në fund të periudhës së Neolitit kur shoqëria njerëzore arriti pjekurinë e saj, fillon afërsisht 6000 vjet më parë edhe historia e qytetërimit në trevën e Epirit. Se cilët qenë këta banorë të hershëm të Epirit, çfarë gjuhe flisnin dhe cila ishte përkatësia e tyre etnike nuk mund të thuhet me siguri. Ata duket se bënin pjesë në grupin e madh të popullatave të cilat në mijëvjeçarin e fundit të Neolitit banonin në brigjet veriore të detit Mesdhe. (Gazeta Shqiptare,  07/08/2011 )       (Vijon nga numri i kaluar )   Shumica e historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve dhe antropologëve mendojnë se popullatat që banonin në periudhën e fundit të Neolitit gjatë brigjeve veriore të detit Mesdhe bënin pjesë në popullatat e grupit etnogjuhësor mesdhetar. Nga tradita historike dihen dhe disa emra fisesh apo popullatash të kësaj epoke, si: lelegë, karianë, frygë, iberë, tirenë, oskë, umbrë, etj, etj. Gjurmët e qytetërimit mesdhetar në truallin e Shqipërisë së sotme janë zbuluar në liqenin e Maliqit. Se cilat nga këto popullata të grupit etnogjuhësor mesdhetar banonin në viset e sotme të Shqipërisë dhe të Epirit është vështirë të thuhet.   Rreth 25 shekuj para erës sonë kur u mbyll epoka e Neolitit dhe nisi epoka e metaleve, rrjedha e jetës njerëzore në mbarë pjesën jugore të Gadishullit Ballkanik përfshirë dhe trevën epirote pësoi ndryshim. Faktori që shkaktoi këtë ndryshim qe dyndja në këtë trevë e popullatave të reja, të cilat për disa erdhën nga deti, për disa nga toka. Mendohet se vatra e tyre fillestare ka qenë në Rusinë e sotme jugore, në trevën midis Detit të Zi dhe Detit Kaspik, aty ku u mbrujtën popullatat e familjes së madhe etnogjuhësore indoevropiane. Pikërisht nga kjo trevë filloi shtegtimi grupe-grupe dhe kohë pas kohe i popullatave që sot njihen si pjesëtarë të familjes etnogjuhësore indoevropiane. Të parët që u shkëputën nga vatra e tyre fillestare qenë hititët, të cilët morën drejtimin e Jugut dhe u vendosën në Azinë e Vogël, në afërsi të qytetërimit mesopotam. Të dytët shtegtuan drejt Perëndimit dhe u vendosën në pjesën jugore të Gadishullit Ballkanik në afërsi të qytetërimit egjean. Këta qenë indoevropianët e parë ose siç quhen ndryshe protoindoevropianët.   ***   Dyndja e tyre në Epir vërtetohet ndër të tjera nga shfaqja e një riti të ri varrimi, që ka dalë prej kohësh në dritë gjatë zbulimeve arkeologjike. Janë varret tumulare ose siç quhen ndryshe varret kurgane, të zbuluara kryesisht në pjesën jugperëndimore dhe perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Banorët e rinj të vdekurit i shtrinin në tokë pa hapur gropë dhe pastaj i mbulonin me dhe. Kur pjesëtarët e tjerë të familjes patriarkale vdisnin, e tyre vendoseshin mbi tumulin e paraardhësit të tyre. Kështu veprohej edhe për brezat pasardhës. Me kohë, varreza e një bashkësie ose e një familjeje të madhe patriarkale kthehej në një kodër, latinisht tumulus, rusisht kurgan, shqip tumë. Në fillim të mijëvjeçarit II p.e.s., pra në fillim të epokës së Bronzit, pjesa jugore e Gadishullit Ballkanik pësoi një valë të re dyndjesh popullatash indoevropiane. Dëshmi për këtë dyndje është fakti se popullatat e reja nuk përdornin varrezat tumulare, por praktikonin varrosjen e të vdekurit në gropë. Këta qenë popullatat helene, të cilat u shtrinë në viset e banuara më parë nga pellazgët, pastaj kaluan edhe nëpër ishujt e , madje edhe në Azinë e Vogël. Nga fundi i epokës së Bronzit në Gadishullin Ballkanik u dukën ilirët, të cilët zunë vend në veri të Helladës dhe në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Ka kohë që jo pak historianë dhe gjuhëtarë të kohëve moderne banorët e hershëm protoindoevropianë, të cilët u vendosën në viset e sotme të Greqisë, Epirit, Shqipërisë dhe Maqedonisë, i quajnë pellazgë. Në fakt, apelativin pellazgë e kanë përdorur mijëra vjet më parë vetë historianët dhe shkrimtarët e vjetër grekë, pas tyre romakë. Do të shkonte tepër gjatë po të rreshtonim këtu të gjithë ata autorë të vjetër grekë, të cilët i dallojnë në mënyrë rigoroze pellazgët nga helenët dhe nga ilirët. Asnjëri prej tyre nuk ka prurë argumente bindëse që t'i identifikojnë pellazgët me grekët apo me ilirët. Helenët kanë bashkëjetuar me pellazgët, kanë marrë prej tyre elementë të qytetërimit pellazgjik, derisa i asimiluan, ashtu si pellazgët nga ana e tyre asimiluan popullatat e mëparshme mesdhetare. Asimilim do të thotë huazim elementësh kulturorë, por jo identifikim etnik. Dihet se nga përplasja e dy identiteteve njëra prej tyre zhduket.   Pikërisht, këtu qëndron shtrembërimi kryesor i historianit britanik Hammond në veprën e përmendur mbi Epirin. Ai nuk i trajton pellazgët si një kombësi më vete. Sipas tij, pellazgët qenë helenë të mirëfilltë. Në sajë të këtij identifikimi të shpifur ai ka gatuar një konkluzion që nuk e kemi dëgjuar asnjëherë – se helenët nuk kanë shtegtuar në Ballkan në fillim të epokës së Bronzit, as pesë shekuj më parë kur shtegtuan protoindoevropianët e hershëm, por janë pjellë e historisë së truallit grek. Pra, sipas tij, helenët kanë qenë vazhdimisht në truallin ballkanik dhe se epiteti që Homeri u jep pellazgëve si popullatë hyjnore u takon pa mëdyshje helenëve. Këtë hamendësim N. Hammondi e shtrin edhe kur flet për Epirin. Nuk i mohon njoftimet që përmban letërsia klasike mbi praninë e pellazgëve në Epir. Por, nga ky hamendësim Hammondi nxjerr konkluzionin se helenët kanë qenë në Epir që kur shfaqen varret tumulare, pra që kur vërtetohet prania e pellazgëve në trevën epirote.   ***   Pavarësisht se ka dijetarë që nuk e pranojnë se pellazgët qenë bartësit e kulturës tumulare – tashmë apelativi pellazgë përdoret në mënyrë konvencionale si emri i protoindoevropianëve të hershëm, të cilët banonin në Gadishullin Ballkanik para grekëve dhe para ilirëve. Historianët dhe gjeografët e vjetër grekë dhe romakë pohojnë se banorët më të hershëm të Epirit qenë pellazgët. Madje, njëri prej tyre, Plutarku (shekulli II), thotë se pellazgët e hershëm që banonin në Epir quheshin thesalë. Sipas tij, pellazgët në Epir erdhën fill pasi ndodhi përmbytja mitologjike e Noes, e cila sipas Biblës, ka ndodhur në kohët parahistorike (Pyrrhus, 1,1). Plutarku njofton gjithashtu se një nga veprat e pellazgëve të hershëm kur ata erdhën në Epir, ishte ndërtimi i faltores së Dodonës, një nga faltoret më të famshme të kohës antike, gërmadhat e së cilës janë zbuluar 18 km në jug të Janinës.   Themelimin nga pellazgët të faltores së Dodonës në trevën e Epirit e përmend për të parën herë poeti epik grek, Homeri. Ai thotë për të: “O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg/ që kujdesesh për Dodonën me dimër të ashpër/ ku për rreth janë selët / aty banojnë fallxhorët që nuk lajnë këmbët e flenë për tokë”. (Iliada, XVI 233 e 234). Straboni, gjeografi grek i shekullit I, i cili ka njoftime për Epirin më të pasura se çdo autor tjetër antik, shkruan: “Shumë autorë të vjetër edhe fiset epirote i kanë quajtur pellazgjike, sepse ata (pellazgët – K.F.) shtriheshin deri në Epir”. (Libri V. 2,4). Straboni shkruan gjithashtu: “Orakulli i Dodonës, sipas Eforit, është ndërtuar nga pellazgët. Për pellazgët flitet se kanë qenë më të vjetrit nga të gjithë ata popuj që kanë sunduar në Helladë. Hesiodi thotë se Dodona dhe Lisi ishin e pellazgëve”. Straboni shton më në fund se popullsitë që banonin rreth e rrotull Dodonës qenë barbarë, pra jo grekë. Nga Straboni del se Dodona ishte ndërtuar në një truall të banuar nga pellazgët, pra jo nga grekët dhe se më vonë u përfshi në kufijtë e Molosisë, pastaj të Thesprotisë – dy fiset kryesore të Epirit, të cilët sikurse do të shihet më tej, ishin me përkatësi etnike ilire. Këtë e përforcon edhe Skimni (shek. III-II p.e.s.), i cili shkruan: Në Molosi “është edhe Dodona/ faltore e Zeusit, themeluar prej pellazgëve/ Në viset e brendshme banojnë barbarë të përzier/ për të cilët shtojnë se banojnë pranë faltores”. (V, 448).   Herodoti, historiani i parë i Greqisë së vjetër (shekulli V p.e.s.), shkruan se në fillim pellazgët adhuronin perënditë e tyre, por nuk i njihnin me emra. Kur panë se në Egjipt perënditë kishin emra të veçantë, vendosën që edhe ata t'i pagëzonin perënditë e tyre me emra të veçantë. Para se të vendosnin, erdhën në Dodonë dhe pyetën orakullin, i cili u përgjigj se mund t'i quanin perënditë me emra të veçantë. Gjithnjë sipas Herodotit, më vonë helenët i morën nga pellazgët emrat e perëndive. Nga njoftimet që japin autorët e vjetër grekë dalin këto konkluzione: se asnjë autor antik grek nuk pohon se banorët e Epirit të lashtë qenë grekë; se pellazgët dhe grekët qenë dy kombësi të ndryshme; se qendra kryesore shpirtërore e pellazgëve, faltorja e Dodonës, ndodhej në zemrën e trevës epirote; se praktikën e pagëzimit të perëndive me emra të veçantë grekët e morën nga pellazgët. Shkurt, pellazgët banonin në Epir para se të shfaqeshin në Ballkan helenët dhe ilirët.   Megjithëse historikisht nuk vërtetohet prania e helenëve në Epir, historianët grekë janë gozhduar prej kohësh pas pikëpamjes se grekët kanë banuar në këto vise që në agimin e historisë. Ndër historianët grekë të Paraluftës zgjodhëm K. Gjerojanin, mbasi trajtesa e tij përfaqëson në mënyrë koncize, më mirë se të tjerat, vizionin që kishte historiografia greke mbi Epirin antik në periudhën midis dy luftave botërore. Ai ngul këmbë se faltorja e Dodonës është gjithsesi greke, mbasi grekët qenë pasardhësit e pellazgëve. Si rrjedhim, praninë e pellazgëve ai e identifikon pa të drejtë me praninë e grekëve në Epir. Siç dihet, identifikimi i pellazgëve me helenët ka qenë një tezë romantike e historianëve grekë të kohëve të reja, tezë të cilën sipas mendimit të përgjithshëm, koha e ka marrë me vete.   Edhe dëshmia e dytë e tij se autorët antikë pohojnë se banorët e rrethinave të Dodonës i përkisnin fisit “Hylloi”, është ndërtuar mbi një premisë të pasaktë. Orvatja e K. Gjerojanit për ta lidhur emrin “Hylloi” me emrin “helenë”, është e nxituar. Sipas dijetarëve të linguistikës historike, kjo lidhje është artificiale. Përkundrazi, ata shohin te emri “Hylloi” – ¾ëëïé te Skilaksi (220); Hyllis te Plini Sekundi (3, 22); Õëëßò te Eustathi (384), – një apelativ ilir që ka në rrënjë fjalën “yll”, i cili nga ana e vet ka lidhje gjithashtu me fjalën shqipe “hyjni” (perëndi). Shkurt, pohimi i tij se “epirotët kanë qenë gjithmonë dhe nuk pushuan asnjëherë së qeni grekë (Îëëçíåò)”, është një deklaratë retorike e cila, nuk ka mbështetje as logjike, as dokumentare. (M.E.E. vol. XII, f. 326).   Në lidhje me përkatësinë etnike të banorëve të Epirit në mijëvjeçarin II p.e.s, ne prisnim që Hammondi të sillte argumente pak a shumë të besueshme në vend të deklaratave retorike të Gjerojanit. Por, për fat të keq, edhe ai shkel në truallin e hamendësimeve. Sipas Hammondit, e folmja e popullatave të varrezave tumulare apo të kulturës kurgane, pra e folmja e popullatave protoindoevropiane që mbuluan Epirin në fund të mijëvjeçarit III p.e.s. ose në fillim të mijëvjeçarit II p.e.s. mund të ishte sa ilirishtja, aq edhe greqishtja. Nuk ka dyshim, shton ai, se në veriun e largët krerët kurganë flisnin një formë të hershme të ilirishtes, kurse në Epir, thekson ai, gjuha e tyre ishte “ndoshta” greqishtja (pra një etnikon me dy gjuhë!). Megjithatë, më poshtë Hammondi e thotë prerazi se krerët kurganë ishin greqishtfolës. Si dëshmi ai sjell varrezat tumulare që janë zbuluar në Helladikun e Mesëm (1900-1600 vjet p.e.s.), në disa vise të Greqisë së sotme qendrore dhe në disa pika të ndryshme të Peloponezit. Por, siç e pohon edhe vetë historiani britanik, varrezat tumulare u përkasin krerëve kurganë dhe jo shtresave të gjera të popullsisë. Ai shkruan: “Ishin krerët kurganë të Shqipërisë dhe Leukasit, të cilët sollën varrimin tumular në Greqinë jugore dhe themeluan aty shumë prej qendrave mikene, të cilat siç mësojmë nga deshifrimi i Shkrimit Linear B përdorën greqishten si gjuha e klasës sunduese”. (It was the Kurgan leaders of Albania and Leukas who brought tumulus-burial to southern Greece and founded many of the Mycenaeau centrues which, as we know from the decipherment of the Linear B. Script, used Greek as the language of the rulin class). (Epirus, f. 36). Sipas tij, dëshmi se popullata greqishtfolëse shfaqen në Epir 2100 vjet p.e.s. janë sëpatat për luftë prej guri me vrimë, të cilat janë zbuluar edhe në stacionin e Maliqit pranë Korçës. Pra, nga një sëpatë me vrimë zbuluar në Maliq del, sipas tij, se në pellgun e Korçës në fund të mijëvjeçarit III p.e.s. popullatat ishin greqishtfolëse (!). Ne gjithashtu, e kemi të vështirë ta besojmë bindjen që ka Hammondi se tërësia e objekteve miniane, të cilat shfaqen në Epir në fund të Helladikut të hershëm, janë prodhuar nga fiset e para greqishtfolëse, të cilat u vendosën në Epir, gjithnjë sipas tij, siç e tregojnë dëshmitë arkeologjike, paqësisht. Më tej N. Hammond thotë pa na sjellë asnjë argument bindës se krerët e varrezave tumulare e përhapën helenizmin nga Maqedonia në Epirin e Jugut, pastaj nga Epiri i Jugut në Epirin e Veriut, ku dihet se mbisundojnë stërkat malore. Ai nxjerr konkluzionin krejtësisht hipotetik se qysh në Helladikun e Mesëm gjuha greqishte u shtri në një trevë, në Epir, prej së cilës ajo nuk do të nxirrej më kurrë (Many of them may have joined in the southwards movement which was to establish what we call Mycenaean civilization and to introduce the Greek language into an area from ëhich it was never to be ousted). (Epirus, f. 36).   Nuk kuptohet se si popullatat kurgane qenkan përhapur nga jugu në veri, kur dihet se tipari kryesor i shtegtimeve të popullsive gjatë Parahistorisë, Protohistorisë dhe Antikitetit ka qenë të paktën përsa i përket Gadishullit Ballkanik nga veriu drejt jugut, pra drejt Egjeut. Kjo për arsye se Egjeu ka shërbyer si pol magnetik për hir të ujërave të tij të ngrohta, por ca më tepër për epërsinë e tij kulturore. Që këtu fillon, mendon Hammondi, historia e pandërprerë 4000-vjeçare e helenizmit në provincën e Epirit. Sikurse shihet, ky është një supozim i cili ka në themelin e vet jo argumentin shkencor, por një prapavijë.

Tags:

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.