Rreth Artikullit

Autori

Mos ma keni parë vajzën ? -Historia e Fatime Suhbi Rexhepi(Dino)

Mos ma keni parë vajzën ?…

Nuk është as përrallë, as legjendë, por një ngjarje e jetuar, shumë e dhimbshme.

Faton si shumë gra e fëmijë të tjerë, i mbajtën të izoluar në një shtëpi -burg të Paramithisë për afro gjashtë muaj. Atje, në burg, lindi dhe vajzën e halleve, Rafeten.

Bajonetat nuk e linin të kthehej pas; e shtynin përpara, drejt veriut. Ajo ecte, rrëzohej, zvarritej, pa i ndarë sytë nga dera e manastirit, ku kishte lënë vogëlushen duke u përpëlitur dhe pyeste gratë e qytetit të saj: ”Mos ma kini parë vajzën?…

Diku larg, në periferi të Tiranës, prehet nje grua plakë. Varri i saj është i zakonshëm, pa epitafe; nuk dallon nga të tjerat. Vetëm një mbishkrim i thjeshtë: “Fatime Suhbi Rexhepi(Dino), lindur në , Çameri”.

Por nuk është që më tërheq vëmendjen.

Ashtu siç thuhet nëpër legjenda, shpirti i saj nuk prehet i qetë. Nga thellësia e kësaj shekullore, duart e saj zgjaten për të kapur një pjesë të shpirtit të shkëputur dhunshëm, që e la rrugëve të Çamerise, Rafeten. Por përse? Përse nëna ka humbur fëmijën dhe fëmija nënën? Po kush i ndau?

Edhe pse kanë kaluar 55 vjet nga kjo dhimbje e madhe, përsëri lotët e nënave çame nuk janë tharë. Nuk ka “alfi” që të shërojë të plagë. Lotojnë njerëzit e familjes Rexhepi e përmes lotëve të tregojnë pjesëza të dhimbshme të jetës së tyre, që i kanë përjetuar vetë, ferrin e atij fund qershori 1944.

Qan dhe Behija, që atëherë nuk ishte më shumë se 10 vjeç. Trupi i dridhet, lotët s`i ndalen. I dukej sikur ngjarjet i kishte ende të gjalla para syve. Edhe Nazmiu kërkon të thotë diçka, por e ka të vështirë.

“I kam përjetuar vetë ngjarjet edhe pse isha i vogël. I shkoja nënës pas”,-thotë ai, duke gëlltitur lotët…

Por karvani i dhimbjeve të familjes së Dinejve, nga i kishte rrënjet nëna e tyre, kishte filluar që më 1913. Djali trim i Paramithisë, Subhi Dino, (babai i Fatimesë), vritet mbi kalë duke luftuar trimërisht. Pas tij, me 1917, u vra dhe i biri, Sulejmani. E si i themi ne, çamët ”Dera mbetet dere”. Kësaj shtëpie nuk i munguan djemtë trima. Më 1943 vritet Ethemi. Më vonë, më 1944, një tragjedi tjetër u përsërit në atë famije, ashtu si në shumë familje të tjera çame. Është një tragjedi e cila nuk arrihet të shkruhet, në tërë përmasën e vet, sepse krimet janë nga më monstruozet…

Nata e 27 qershorit 1944, nuk u ngjante netëve të tjera, ajo ishte gjithë lotë e dhimbje. Qindra fytyra të mbytura në trishtim, nëna që vajtojnë bijtë e tyre. Bandat e Zervës bënë kërdinë. Sytë e tyre kërkonin t' a shikonin Çamërinë të përgjakur e të braktisur nga banorët e saj, për t'a populluar me të tjerë.

Dera e Dinenjve e pësoi e para. Sytë e egërsirës shoviniste ishin kthyer edhe nga vajzat e kësaj familjeje për t'a zhdukur nga rrënjët.

Fatimesë i vranë dy motrat: Alidenë e Kadron, burrin dhe dy vëllezërit e tij. Ajo u përpoq të shpëtonte duke u fshehur në një oxhak, por e zunë dhe ndonëse ishte shtatzanë nuk ia kursyen majat e bajonetës, që iu ngulën disa herë në trup. Faton si shumë gra e fëmijë të tjerë, i mbajtën të izoluar në një shtëpi -burg të Paramithisë për afro gjashtë muaj. Atje, në burg, lindi dhe vajzën e halleve, Rafeten.

Pas 6 muajsh i nisën të gjithë drejt kufirit shqiptar. Vargani i grave e fëmijëve, ecën për ditë e netë, të zbathur e të uritur, rrugë pas rruge. Ecte edhe Fatimeja me gjashtë fëmijë; 3 të saj dhe 3 jetimë të motrës, Kadros, që kishte mbetur pa varr.

E ku kishte të mbaruar ajo rrugë. Nuk ishte pak të udhëtoje tre ditë e netë, duke mbajtur në krahë dhe në duar një tufë fëmijë. Por jetimët që e rrethonin e bënin më të fortë.

Ata duheshin shpëtuar. E cfilitur nga rruga dhe pagjumsia, ajo mundohej të përballonte lodhjen. Por forcat e njeriut kanë një cak.

Para saj u duk një rrugë e gjatë malore, që gjalpëronte si një dredhëz e hirtë. Nuk e mbante mend se ku, por thoshin se afër kufirit shqiptar. ”Mbahu ”- i thoshte vetes -Edhe pak, edhe pak …”

Por këmbët iu prenë, nuk kishte më fuqi. Fatua ishte grua e mençur, nuk donte t'i humbiste të gjithë fëmijët, sidomos të motrës së vdekur. Mbështolli me batanije më të voglën, Rafeten e la në derë të një manastiri dhe u përpoq t'i tërhiqte të tjerët deri në qafë, për t'u kthyer përsëri ta merrte vogëlushen. Por ajo nuk mundi të kthehej më…

Bajonetat zerviste nuk e linin të kthehej pas; e shtynin përpara, drejt veriut. Ajo ecte, rrëzohej, zvarritej, pa i ndarë sytë nga dera e manastirit, ku kishte lënë vogëlushen duke u përpëlitur dhe pyeste gratë e qytetit të saj: ”Mos ma kini parë vajzën?…

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.