Rreth Artikullit

Autori

LUFTETARE CAME NE MBROJTJE TE CAMERISE

“Më 6 dhjetor 1942 një nga figurat më të respektuara dhe më të fuqishme të Çamërisë, Jasin Sadiku, vritet.

Dokumenti:
“Më 6 dhjetor 1942 një nga figurat më të respektuara dhe më të fuqishme të Çamërisë, Jasin Sadiku, vritet. Kjo vrasje e një prej patriotëve e aktivistëve të në mbrojtje të çështjes çame, pati jo pak ndikim të rëndësishëm jo vetëm në qarqet e njohura të kohës, por dhe për çështjen e popullsisë çame në tërësi, ndaj të cilës u përgatit dhe u realizua një shpërngulje e dhunshme e masive nga trojet e tyre autoktone…”.
(Jorgos Margaritis, “Anepithimitoi…”, f.160)
Arkivat dhe dëshmitë
Kush ishte Jasin Sadiku
Në përpjekjet e popullsisë çame për mbijetesë, që nga mbrojtja e trojeve dhe të drejtave të tyre, përballë dhunës shtetërore e deri tek kalvari biblik i shpërnguljes së dhunshme, një rol të rëndësishëm luajtën dhe personalitete të njohura nga gjiri i saj. Ndër ta, është dhe Jasin Sadiku. Referuar arkivave e dëshmive të kohës, studiuesi Isufaj sjell dëshmi interesante për rolin e Sadikut në çështjen çame.
Jasin Sadik Hasani, ishte bir i Margëlliçit. I ati i tij, Serveti, ishte hoxhë në qytet dhe njihej në të gjithë kazanë me emrin Mulla Serveti. Ai kishte një tufë fëmijë dhe përkujdesej t'i edukonte dhe t'i shkollonte, por shkollimi i fëmijëve myslimanë shqiptarë në Çamëri ishte tepër i vështirë, se në Çamëri nuk kishte asnjë shkollë shqipe, por vetëm shkolla greke. Jasin Sadiku shquhej në rininë e tij për një vullnet të fortë dhe zgjuarsi. Ai, si autodidakt, lexonte shumë dhe nga librat që shfletonte, mori një kulturë të gjerë dhe bëri emër në Margëlliç e rrethinat. Ai lexonte në gjuhën greke, mësoi të shkruante e të lexonte shqip, mësoi nga i ati të shkruante e të lexonte arabisht dhe më pas mësoi edhe italisht.
Jasin Sadiku ka lindur në Margëlliç, në vitin 1888. Thuhet se stërgjyshërit e tij ishin të krishterë dhe e kishin origjinën nga fshati i krishterë Rrapëz dhe kur ishin islamizuar, në fund të shek.XVII-fillimi i shek.XVIII, një pjesë e fisit që u islamizua, iku nga Rrapëza dhe u vendos në Margëlliç, ndërsa ajo pjesë e fisit që nuk pranoi të ndërronte fenë e krishterë, qëndroi në Rrapëz.
Ndërmjet të krishterëve, që kishin krijuar lidhje miqësore me Jasin Sadikun, again e Margëlliçit, ishin dhe dy deputetë grekë: Avini dhe Çoku, i pari deputet i Partisë Venixelliste dhe i dyti i Partisë Popullore. Ata kishin dalë deputetë me votat që kishin fituar në fshatrat e zonës së Margëlliçit e rrethinave të tij. Ata e vizitonin shtëpinë e Jasin Sadikut jo vetëm gjatë fushatave elektorale, por edhe më pas, dhe kjo kishte bërë që mes të dy palëve të krijohej një miqësi e ngushtë dhe e sinqertë.
Kujtim Boriçi
Ekskluzive/ Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi, jepen dëshmi e dokumenteve arkivore lidhur me qëndresën çame për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, si dhe roli i rëndësishëm i patriotit Jasin Sadiku në mbrojtje të çështjes çame, nëpërmjet organizimit të qëndresës dhe sensibilizimit të faktorëve ndërkombëtarë, për fatin e dhimbshëm që përgatitej ndaj një popullsie të pambrojtur.
Në luftën për mbijetesë të popullit çam, në përpjekjet për të mbrojtur trojet, gjuhën shqipe dhe kundërshtimin ndaj shpërnguljes së dhunshme të popullsisë, nuk duhet lënë pa përmendur edhe Jasin Sadiku nga Margëlliçi. Për arsye të shumta, figura e Jasin Sadikut është e panjohur, edhe pse ndaj tij, për afro 70 vjet, qarqe të caktuara greke kanë ndërmarrë sulme të ashpra e të pandërprera. Jo vetëm në të gjallë, por edhe pas vrasjes së tij, më 1942.
Akuzat pa pabazë të grekëve
Dëshmitë greke, që nga viti 1940 e deri në ditët tona, sjellin “argumente” duke i akuzuar çamët si “vrasës”, “grabitës”, “plaçkitës” e “bashkëpunëtorë me pushtuesit nazifashistë”. Këtyre akuzave, nuk u ka shpëtuar as Jasin Sadiku. Kjo shprehet edhe në raportin që i dërgonte Nënkomanda e Korofillaqisë së Pargës, Komandës së Lartë të Korofillaqisë së Epirit në Janinë, më 21 korrik 1942. Në këtë raport të gjatë, ndër të tjera shkruhej: “Një grup prej dhjetë vetash myslimanë të Margëlliçit, ku ndër më të njohurit mes tyre ishte Jasin Sadiku, të veshur me uniforma të oficerëve italianë e të shoqëruar nga 10 ushtarë italianë, kishin shkuar në fshatrat e krishtera të Frarit, familjet e të cilëve, nga terrorizimet që u kishte bërë Jasin Sadiku, ishin larguar nëpër pyje. Jasin Sadiku me shokët kishte grabitur rreth 100 kokë dele, viça e lopë … Jasin Sadiku kishte rrahur e gjakosur një kundërshtar të tij të krishterë nga fshati Mesopotam, në Frar, (Jorgos Margaritis, “Anepithimitoi simpatriotes, Tsamidhes, Evranoi”, Athinai, 2005, f.189-190)
Referuar arkivave del qartë se sa pa baza janë akuzat e Korofillaqisë së Pargës. Në to (arkiva) del se vetë Jasin jo vetëm kishte në pronësinë e tij qindra krerë dele e lopë, si dhe qindra hektarë tokë, por dhe se aktiviteti i tij ka qenë dukshëm në dobi të Çamërisë
Lidhja e Kombeve zhgënjen popullsinë çame
Situata në të cilën vepronin atdhetarët e Margëlliçit, ishte tepër e tensionuar dhe me rreziqe. Në këtë kohë ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, përgatiteshin lloj-lloj prapaskenash e manipulimesh. Në rrjedhën e këtyre veprimeve antishqiptare nuk ishin përfshirë vetëm zyrtarët grekë të rangjeve të ndryshme, por edhe ndonjë përfaqësues i dërguar nga Lidhja e Kombeve, siç ishte rasti i kryetarit të Komisionit Mikst, z.Ekstrand. Ai, megjithëse i dërguar në Greqi si përfaqësues i Lidhjes së Kombeve me një mision të rëndësishëm, për të qenë një arbitër i mirë e për të mos lejuar asnjë shkelje e abuzim në shkëmbimin e popullsisë greko-turke, kishte dalë hapur në mbështetje të platformës politike të Greqisë, duke mbyllur sytë ndaj veprimeve të dhunshme që kryheshin ndaj shqiptarëve në Çamëri. Për zyrtarët grekë tashmë ishte fituar njëfarë sigurie se çdo veprim që do të ndërmerrnin ndaj çamëve, tek Ekstrandi nuk do të gjente asnjë rezistencë e presion. Ishte pikërisht kjo njëra ndër arsyet kryesore që administrata vendore greke, vepronte ndaj çamëve sipas dëshirës së saj.
“Në fillim të marsit të vitit 1925, në zyrën e Ekstrandit kishte shkuar një telegram, gjoja i nënshkruar nga 700 familje myslimane të zonës së Margëlliçit, të cilat “me vullnetin e tyre të lirë”, shprehnin dëshirën të përfshiheshin në këmbim. Këtë parashtresë z.Ekstrand e kishte marrë në konsideratë, pa marrë asnjë kontakt me nënshkruesit e telegramit dhe ia kishte raportuar Lidhjes së Kombeve menjëherë si të mirëqenë dhe pritej vapori që ato familje, si një kope bagëtish, të viheshin përpara nga Korofillaqia greke dhe të futeshin në vapor për të udhëtuar drejt Turqisë.
Z.Bratlly, nënkryetari i Komisionit Mikst, krejt rastësisht, duke bërë një vizitë në Margëlliç, Mazarrek dhe në fshatin Vrastov, mësoi se ai telegram ishte hartuar dhe ideuar nga i Ushtrisë Greke të zonës së Margëlliçit, Palimiro dhe për nënshkrimet që ishin vënë në telegram, çamët s'kishin asnjë dijeni. (A.SH, “Dokumente për Çamërinë”, 1912-1939″, Tiranë, 1999, dok.226, f.424)
Mitat Frashëri për ndërkombëtarizimin e çështjes çame
Gjithashtu, rreth këtij takimi e bisedimet që zhvilloi Jasin Sadiku me Bratllin, na informon Mit`hat Frashëri, në atë kohë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, nëpërmjet raportit që i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, më 21 mars 1925.
Ja dialogu i zhvilluar mes Jasin Sadikut dhe Bratllit, sipas raportit të Mit`hat Frashërit:
“Me të vërtetë, përgjigjet Jasin (Sadiku), kam dashur që të iki si turk, po kam gënjyer. Kam gënjyer nga shkaku i të zezave që kam hequr prej grekëve, të cilët, që nga më i madhi gjer tek më i vogli, s'kanë lënë të ligë pa bërë. Dhe i dëshpëruar, Sadiku paska numëruar të gjitha vuajtjet e çamëve dhe fjalët e tij hynë në procesverbal”.
Nga deklarata që bëri Jasin Sadiku përpara zyrtarit të Lidhjes së Kombeve, bëhej e qartë se agai i Margëlliçit e kishte bërë atë deklaratë, ku shprehej se “donte të përfshihej në shkëmbim”, përballë presioneve të shumta…
Prefekti i Prevezës dhe bashkëpunëtorët e tij që e shoqëronin hap pas hapi, kur nuk gjenin terren dhe mbështetje tek paria e kazasë së Margëlliçit, vinin në zbatim arrestimet dhe burgimet e figurave çame, me qëllim që të ngjallte terror e frikë në masën çame. Kështu p.sh., ishte vepruar me Abedin Dule Xhemalin, çifligarin e madh të fshatit Grave të Gumenicës dhe njëkohësisht përfaqësuesi i parisë së myslimanëve të Gumenicës dhe rrethinave. Agai i Gravës, sapo refuzoi me përbuzje e përçmim ofertat që i bëri prefekti i Prevezës, u arrestua dhe u dërgua në qelitë e Burgut të Prevezës, (gjoja si shtëpi bazë ku strehoheshin hajdutë) pse nuk deshi t'u bindej këshillave të prefektit dhe të bënte propagandë për shkëmbim .
Sa më të ashpra bëheshin presionet e qeveritarëve grekë ndaj shqiptarëve në Çamëri, aq më e vendosur bëhej qëndresa çame, pa marrë parasysh rreziqet që u kanoseshin. Kuptohet se në këtë situatë të vështirë, Jasin Sadiku dhe shumë nga bashkëqytetarët e tij, si Ahmet Aga Kasemi, Ibrahim Rojba, Haxhi Ibrahimi, Mustafa Bejo, Isuf Haxhi Mahmuti, Ibrahim Mullahu etj., që kishin hyrë e dalë shpesh në burgjet greke, të akuzuar për ndjenja kombëtare shqiptare, nuk e kishin të lehtë të vepronin se ishin nën një mbikëqyrje të fortë survejimi nga Korofillaqia greke. Megjithatë, në Margëlliç dita-ditës shtoheshin radhët e veprimtarëve çamë me ide e veprime patriotike, që manifestonin rezistencën kundër spastrimit etnik të çamëve. (A.SH, Letër e Mithat Frashërit, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë i drejtohet ministrit të Punëve të Jashtme, Tiranë; Athinë, 21 mars 1925).
Organizimi i qëndresës dhe Memorandumi i Çamërisë
Burimet dokumentare të kohës vënë në dukje se, në këtë kohë, në Margëlliç vepronte një plejadë e tërë patriotësh përkrah Jasin Sadikut e bashkëpunëtorëve të tij, si Mehmet Buzo, Osman Husa, Xhavit Husa, Qazim Rusi, Osman Çapari, Haxhi Kolobi, Abaz Selimi etj. Dita-ditës shtoheshin radhët me elementë të rinj që kishin marrë në duart e tyre flamurin e qëndresës. Në këtë mjedis patriotësh të vendosur, Jasin Sadiku bëhej edhe më i përkushtuar në veprën e tij dhe në bashkëveprim me bashkëqytetarët e tij, që e mbështesnin pa rezerva e ngurrim, e shtrinte aktivitetin edhe përtej fshatrave të kazasë së Margëlliçit, duke shfrytëzuar lidhjet dhe njohjet që kishte dhe respekti që gëzonte në masën çame.
“Jasin Haxhi (Sadiku), në shkurt të vitit 1926 ndodhet në radhët e përkrahësve më të vendosur të mbrojtjes çame dhe të përfaqësisë së saj. Përfaqësuesit e Çamërisë shihnin tek qeveria greke një të madh kërcënimi, jo vetëm për pronat, por edhe për jetën e njerëzve. Më 18 shkurt 1926u përpilua një Memorandum nga përfaqësuesit e popullsisë së Çamërisë. Dokumenti i nënshkruar nga Ali Dino, Mazar Dino, Haxhi Sejko, Mehmet Zëri, Ibrahim Bejazi, Jasin Haxhi dhe Adem Idrizi, iu dërgua Kryeministrit të Greqisë, z.Teodoros Pangallos. Memorandumi paraqiste në thelbin e tij, situatën në Çamëri, ku theksohej se “në Çamëri, në kundërshtim me çdo të drejtë, ishte aplikuar tre vjetëve ligji i reformës agrare, që ishte një shpronësim i imponuar i pronarëve shqiptarë. Prej asaj mase të ndërmarrë nga qeveria greke, shqiptarët kishin humbur jo vetëm pronat e mëdha, por edhe pronat e vogla, kopshtet që i kishin për të përballuar nevojat më jetike. Situata e krijuar kishte bërë që familjet shqiptare ishin dënuar të vdisnin urie”. (Arkiva greke, “Ipomnima tis epitropis ton antiproposon ton Alvanon to jenos kai mousoulmanon to thriskeyma elinon politon katoikon tis Tsamourias Ipeirou, pros tin aftou eksohotisa straiigou Theodoron Pangalou Proedrou tou Ypourjikou Simvouliou Athinas”).
Më tej, përfaqësuesit çamë deklaronin se “shpronësimet e pronave të shqiptarëve ishin bërë në të gjitha fshatrat myslimane të Çamërisë dhe çmimi që kishte caktuar qeveria, ishte qesharak dhe i papërfillshëm. Në fshatrat Kravari, Koronopulo, Shëndell etj., për të ardhurat e prodhimeve bujqësore të tyre, që llogariteshin 120 Dhrahmi për streme, qeveria greke kishte caktuar një vlerësim të ulët, në 7 Dhrahmi. Këto vlerësime ishin bërë sipas deklaratave të fshatarëve greke, që ishin të interesuar për pronat që kishin marrë.
Në dokument theksohej se përveç vlerësimit qesharak të të ardhurave nga prodhimet bujqësore, parregullsi ishin vërejtur edhe në matjet e shtrirjes së pronave. Kështu p.sh., fshati Gorrica, kishte një sipërfaqe toke që llogaritej në 7000 stremë, komisioni atë sipërfaqe e llogariti sikur të ishte 1400 streme. Fshati Jonuz, me sipërfaqe prej 5000 streme, u llogarit vetëm për 1500 streme. Fshati Turkopalluk, me 5500 streme, ishte llogaritur për 1500 streme… Një tjetër, Kanallaqi, zinte një sipërfaqe prej 8000 streme, u llogarit në 1800 streme .
Këtë qethje, theksohej në memorandum, pa asnjë kuptim, që u bënte komisioni grek pronave të myslimanëve shqiptarë, edhe pse u denoncuan nga pronarët shqiptarë, kërkesa e tyre nuk u mor në konsideratë. . Një aspekt tjetër që ngrinin përfaqësuesit e Çamërisë, ishte se “pronarët” e rinj të krishterë, që morën këto prona, ishin rreth 1000 familje. Ata u bënë çifligarë të rinj, me 120-140 stremë çdo familje, nga pronat e myslimanëve çamë, të cilat pasi i morën, i lanë djerrina e kullota të papunuara, ndërsa pronarët e vërtetë përfunduan keq e më keq, argatë e bujq të ish-bujqve të tyre .
Memorandumi përfundonte duke i kërkuar Kryeministrit grek, që “minoriteti shqiptar në Greqi, të ndjehej në shtetin grek si shtetasit e tij, si në detyrime, ashtu edhe me të drejta të barabarta me helenët. Dhe, së fundi, deklarohej: “Nëse nuk do të ndodhte kështu, do të mendojmë se qeveria greke synon asgjësimin ose largimin tonë” .
Memorandumi, në emër të përfaqësuesve të Çamërisë, nënshkruhej: Ali Dino, Masar Dino, Haxhi Sejko, Jasin Haxhiu, Mehmet Zëri, Ibrahim Bejazi dhe Adem Idrizi.
Miq me Jasin Sadikun, ishin dhe dy deputetë grekë: Avini dhe Çoku, i pari deputet i Partisë Venixelliste dhe i dyti i Partisë Popullore. Ata kishin dalë deputetë me votat që kishin fituar në fshatrat e zonës së Margëlliçit e rrethinave të tij. Ata e vizitonin shtëpinë e Jasin Sadikut jo vetëm gjatë fushatave elektorale, por edhe më pas, dhe kjo kishte bërë që mes të dy palëve të krijohej një miqësi e ngushtë dhe e sinqertë.
Jasin Sadiku dhe shumë nga bashkëqytetarët e tij, si Ahmet Aga Kasemi, Ibrahim Rojba, Haxhi Ibrahimi, Mustafa Bejo, Isuf Haxhi Mahmuti, Ibrahim Mullahu etj., që kishin hyrë e dalë shpesh në burgjet greke, të akuzuar për ndjenja kombëtare shqiptare, nuk e kishin të lehtë të vepronin se ishin nën një mbikëqyrje të fortë survejimi nga Korofillaqia greke.

Nga Hajredin Isufi

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.