Rreth Artikullit

Autori

Grekja, Ringers mbron myslimanët çamë

Historiani Jani Sarras, duke trajtuar në veprën e tij pushtimin e Paramithisë nga forcat e EDES-it, shkruan se marrja e Paramithisë nga EDES-ët ishte fatale dhe tragjike për minoritetin shqiptar çam. Likuidimi e çrrënjosja e këtij minoriteti nga trojet e të parëve të tyre, nga vetë atdheu i tyre, ishte i pashmangshëm. Edeisti paramithjot, Vasil Krapsiti, duke përshkruar në veprën e tij dramën e myslimanëve të shkaktuar nga forcat e Napoleon Zervës, jep edhe një detaj tepër interesant. Ai tregon se, më 27 qershor 1944, ngriti në qytet një Gjykatë Speciale Ushtarake, në përbërjen e së cilës ishin: Kryetar, A.Kranja; anëtarë, Muskunaqis Kostandinis dhe juristi, Kristo Stravopullos, të cilin ato ditë e Lartë e EDES-it e kishte graduar me gradën e Kapitenit, për të gjykuar 35 myslimanë nga paria e Paramithisë, me një akuzë tepër të rëndë: “Qytetarë grekë që kishin ngritur armët kundër atdheut…” . “Gjykimi i fajtorëve pa faj” bëhej në një vend publik, ku ishin grumbulluar jo vetëm të krishterët e qytetit, forcat zerviste e paramilitare, por edhe banorët e fshatrave të krishtera përreth. Komanda zerviste ishte treguar tepër e kujdesshme në thirrjen e grumbullimin e të krishterëve, për t'u treguar atyre dhe opinionit të gjerë, se dënimet do të ishin tepër të rënda ndaj “kriminelëve” që “i kishin shkaktuar aq dhembje e plagë” popullsisë së krishterë. Çamët që ishin rreshtuar në bankën e të akuzuarve, me duar të shtrënguara nga prangat e hekurave dhe të rrethuar nga shumë civilë e ushtarakë të armatosur, ndiqnin me qetësi britmat që lëshoheshin nga salla, nga njerëz të panjohur, që nuk dinin as emrat e të “akuzuarve”. Për 35 çamët që po gjykoheshin, ngriheshin një det me akuza si pjesëmarrës në masakrën e 29 shtatorit 1943, ku forcat gjermane masakruan 49 të krishterë të pafajshëm, midis të cilëve edhe priftin Teamatos Pan, si dhe Athanas G.Ringen, e plaçkitjen e fshatrave greke, bashkëpunim me pushtuesin etj.
Trupi gjykues dhe të pranishmit në sallë u përballën me një të papritur. Kur dukej se procesit po i vinte fundi dhe pritej vendimi i dënimit, nga mesi i turmës të pranishme në sallë, u ngrit në këmbë një grua, që të gjithë qytetarët e Paramithisë, myslimanë e të krishterë, e njihnin si zonjën e nderuar të familjes së madhe të Ringenjëve, një familje me emër në tregti dhe në politikë, e njohur në të gjithë Greqinë. Ajo ishte Maria, e shoqja e Themistokli Ringes, e cila iu drejtua trupit gjykues me një ton disi të fortë, që shprehte protestën e ndaj akuzave pa baza që hidheshin ndaj atyre që akuzoheshin si kriminelë e vrasës: “Nuk jam as në rolin e avokatit mbrojtës, as në mbrojtje të fajtorëve, as për t'i akuzuar për ato që nuk kam dijeni. Unë dua të flas vetëm për njërin që keni nxjerrë në bankën e të akuzuarve”, tha ajo, duke e drejtuar gishtin drejt Fadil Bakos. Të pranishmit dhe trupi gjykues pritnin se çfarë do të thoshte ajo dhe ç'prova do të sillte, që do të rëndonin again mysliman të Paramithisë.
Zonja Maria, pasi mori frymë thellë, iu drejtua të pranishmëve: “E njihni ju cili është z.Fadil Bako? Ai është bashkëqytetari ynë, një njeri i ndershëm, bamirës dhe fisnik, mik i të krishterëve në ditë të vështira. Unë para jush se Fadil Bako ka ndihmuar familjen e Ringenjve, si dhe shumë familje të krishtera paramithjote, me bukë e ushqime, duke i marrë në mbrojtje në ditë të vështira, kur jeta e tyre ishte në rrezik”, (V.Krapsites, “Oi mussulmanoi”, f.131).

Shpërngulja e myslimanëve, forcon lidhjet e komunitetit çam
Një ndjenjë e fuqishme e lidhjeve të çamëve me fatet e Çamërisë dhe të vëllezërve të tyre çamë, u shpreh fuqishëm në vitet '20-'30 të shekullit të kaluar. Qeveria greke, pas Traktatit të Lozanës (janar 1923), përhapi lajme se do të dëbonte nga krahina e Prevezës dhe e Janinës aq myslimanë, sa i nevojiteshin për të refugjatët grekë që vazhdonin të vinin nga Azia e Vogël. Në këtë kuadër qeveria greke planifikoi me anën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shpërnguljen, fillimisht të dhjetëra-mijëra myslimanëve shqiptarë çamë, dhe në shtëpitë e tyre do të vendoseshin po aq refugjatë grekë.
Ndërkohë nga ana e autoriteteve lokale greke kishte filluar një fushatë propagandistike, veçanërisht në kazatë e Paramithisë, Margëlliçit, e Gumenicës, për t'i detyruar myslimanët shqiptarë të linin trojet e tyre dhe të shkonin në stepat e thata të Anadollit…

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.