Rreth Artikullit

Autori

Flijimi për nder i 100 grave suljote

Autori anglez tek gruaja suliote vërejti se ajo megjithëse dukej si e plakur para kohe, nga vuajtjet dhe punët e rënda, prapëseprapë, bartte dëshmitë e një race të lashtë . Çajrël, duke u ndodhur në një dasmë suliote, pati rastin më të mirë që gruan suliote ta shihte në një ceremoni festive, të veshur me veshjen karakteristike, të zbukuruar hijshëm, që ndryshe nga paraqitja e saj e përditshme në punët e fushës, gjente rastin më të mirë të shprehte bukurinë dhe elegancën e saj. Përshtypjet që krijoi anglezi për dasmoret çame, ishin befasuese dhe nuk ngurroi t'i krahasonte gratë suliote me “Venusin e Miles” (Perëndeshën e Bukurisë). “Nusja suliote, dukej si një skulpturë e hijshme atleteje, me kyçet e duarve e të këmbëve delikate, me gjoksin e ngritur, me tipare klasike të fytyrës së saj ovale…”, (Bartholdy, po aty).
Edhe studiuesja e shquar Elena Gjika, nga Parga, në veprimtarinë e gjerë të saj studimore, nuk len pa përmendur bukurinë e simotrave të saj shqiptare të Shqipërisë së Poshtme, duke u ndalur tek bukuria fizike e përkryer e tyre. Mes të tjerave, ajo shkruan: “Gratë e kësaj pjese të Shqipërisë, mund të kishin shërbyer si modele të Fidias dhe Praksitelit…”, (Dora d`Istria, vep.e përm., f.204).
Për ta vazhduar më tej mendimin që trajtojmë, është me interes të përmend edhe dy vlerësime të autorëve të huaj për bukurinë e femrës çame. Së pari, është fjala për konsideratat që shpreh historiani biograf, Adam Volf. Ai përmend me admirim përshtypjet që pati nga një vizitë që i bëri iluministes shqiptare, Dora D'Istria. Gjëja kryesore që i tërhoqi vëmendjen, ishin sytë e saj të ndryshëm, buzëqeshja e ëmbël, qëndrimi i saj madhështor e i natyrshëm, fisnike që zbulonte energji, dinjitetin, shëndetin dhe zgjuarsinë, (Dora d`Istria, po aty).
Së dyti, Ibrahim Mensur Efendiu për gruan e Ali Pashës, Vasiliqinë, nga Pleshovica e Filatit, thotë: “Ishte një grua e bukur, afro 35-vjeçare, kishte një elegancë të çuditshme”. (Ibrahim Mensur Efendi, “Kujtime për Ali Pashën”, Tiranë, 2003, f.237). Ndërsa Dora D'Istria e cilësonte Vasiliqinë një pëllumbeshë të bukur të rrëmbyer nga foleja…
Këto tipare të gruas çame, ndoshta nuk do të krijonin një përfytyrim të saktë të hijeshisë së gruas shqiptare, që për Dora D'Istrian, “janë gratë më të bukura të gadishullit lindor… Mahnitesh me luginat e këndshme të Çamërisë, me bukuritë e virgjëneshave të saj me sy të zinj, flokët e mrekullueshme të të cilave, me ngjyrë të rreshkët në gështenjë, u rrëzohen gjer te thembra…”, (Dora D'Istria, cituar më lart)…

 

 

Flijimi për nder i 100 grave suljote

Në një nga betejat e ashpra të vitit 1792, kur u sulmua nga forca  të shumta të Ali Pashës, disa gra suljote, duke parë rrezikun që i  kërcënonte armiku i tyre, rrëmbyen armët. Ajo që i printe suliotët ishte  Moskoja, gruaja e Kapedan Xhavellës. Gruaja suliote, ashtu si të gjitha  gratë shqiptare, i jepnin rëndësi të madhe nocionit “nder”. Në emër të  tij, ato ishin gati të sakrifikonin edhe jetën e tyre. Këto veti të  larta të gruas shqiptare, thotë studiuesi arvanitas, Aristidh Kola,  “janë gjëra të panjohura për lindoret, prandaj edhe nuk i çmonin këto  veti të larta të shqiptarëve”, (A.Kola, vep.e përm., f.302.)
Brigjet e Aspropotamit dhe shpatet e thepisura të humnerës së Zallongut,  u bënë dëshmitarë të ësakrificës. Gratë suliote preferuan  vetëflijimin e tyre. Ato zgjodhën më mirë një vdekje të ndershme, që të  shpëtonin nga një jetë prej skllave, që i priste, po të binin në duart e  forcave të Ali Pashës.
Është i njohur tashmë akti heroik i dramës së grave suliote në Zallong.  Më shumë se 100 gra, nëna, duke shtrënguar në gji fëmijët e tyre e të  pasuara nga vajzat e tyre, u hodhën në humnerën e thepisur të  shkëmbinjve të Zallongut.
Ato morën një vendim të shpejtë për t'u mbrojtur nga poshtërimi, turpi  dhe tortura. U kapën dorë për dore dhe mbi sheshin e shkëmbit, ku  ndodheshin, filluan të hedhin “vallen e vdekjes” së tyre, të cilën e  frymëzonte një heroizëm i jashtëzakonshëm e i paparë, kurse tmerret e  vdekjes tragjike të tyre përjetonin ritmin. Vallen e shoqëronte kënga  patriotike, refrenin e të cilës patjetër e dëgjonte edhe qielli, e  dëgjonin edhe shkrepat e Zallongut. Në fund të refrenit, të 100 gratë  lëshuan një klithmë rrëqethëse e të gjatë, jehona e të cilës vazhdoi  deri në fund të humnerës, ku përfunduan bashkë me krijesat e tyre, që e  shtrëngonte fort në gjokset e përgjakura.

 

Gratë suliote, luftëtare si burrat

Krahas bukurisë, si dhuratë e natyrës, trimëria e gruas çame ka qenë dhe ka zënë vend në kufijtë e legjendës. Rrëfimet e transmetuara brezave, gojëdhënat, këngët; por dhe dokumentet arkivore të kohës, e evidentojnë dendur këtë .Por të gjitha që cituam më sipër, sipas dokumenteve arkivore e studiuesve (këtu të gjithë bashkohen në një pikë) nuk do të kishin vlerë, apo më saktë nuk do të ishin të plota pa përmendur suliotet çame. Shumë studiues, që i kanë pasur në qendër të studimit të tyre Çamërinë dhe çamët, e pasqyrojnë gruan çame të Sulit si luftëtare dhe bashkëshorte të aftë të burrit, si bartëse të ideve më të mira të kombit e pajisur me ndjenja të larta si një nënë e denjë për të rritur dhe edukuar fëmijët, si luftëtare e trimëreshë, si shtëpiake e përkryer dhe në punët jashtë shtëpisë, si dhe në mbrojtjen e trojeve, të fisit dhe të afërmve të saj.”Gratë suliote, tregon Sukoja, i pasuan burrat me dyfekun mbi supet, shpatën ngjeshur, koburen dhe gjerdanin; ato inkurajuan trimat dhe i shoqëruan në të gjitha ndeshjet…”, (Aleksandër Soutzo, “Historie de la revolution Greque”, Paris, MDCCCXIX, f.202).Vilhelm Müler i ka kushtuar gruas suliote një poezi të bukur të titulluar “SULIOTJA”. (Vilhelm Myler, cituar nga K.Xoxi në : Lufta e popullit për pavarësi, vep.e përm., f.352).
Dëshmi interesante të trimërisë së grave çame sjell dhe Dora D'Istria: “Në rreziqet e mëdha s'ka pasur asnjëherë nën armë më shumë se 1500 luftëtarë. Gratë e tyre i shoqëronin ata në luftë, transportonin ushqime dhe dhe në rast nevoje rrëmbenin dhe pushkën dhe e përdornin atë me mjeshtëri, si burrat e djemtë e tyre. Sali Pasha, i biri i Aliut, që ishte poet, i ngre lart vlerat e grave suliote në një vjershë të tij, duke vënë në gojën e Ali Pashës vargjet: “…Shihni si qëndrojnë suliotët/ Trima burrat, burrëresha gratë…”, (Dora d`Istria, vep.e përm., f.38).
Shembulli dhe heroizmi i grave suliote u jepte kurajë jo vetëm luftëtarëve suliotë, por edhe indiferentëve dhe frikacakëve. Ato i ndiqnin hap pas hapi burrat dhe djemtë e tyre. Thuhet, se Moskoja, gruaja e kapedan Xhavellës, kur kishte arritur në kullën e Qafës në Sul, gjeti të shtrirë trupat e disa luftëtarëve suliotë. Koço Xhavella, nipi i saj, sapo kishte dhënë shpirt. Moskoja, sipas Dora D'Istrias, i bëri nderimet mortore të denja për luftëtarët…, hidhet mbi e tij, e puth, e mbulon me përparësen e saj dhe i thotë: “Nip i shtrenjtë, unë arrita shumë vonë për të të shpëtuar, por unë do të vrapoj të të marr hakun”. Dhe me shpejtësi, si një ortek, vihet në ndjekje…”, (Dora D'Istria, po aty, f.39).
Gratë çame, kur e shihnin armikun të sulmonte territoret e shtrenjta të tyre dhe t'u rrëmbente lirinë e t'i kthente në skllavëri, rrëmbenin armët. Sulmi i tyre mbi forcat armike ishte i befasishëm dhe i vrullshëm si stuhi.

Tags:

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.