Rreth Artikullit

Autori

ARVANITASIT- KRIJUESIT E SHTETIT TË RI GREK

Popullsia shqiptare, që jeton sot në shtetin e ri grek, ndahet në dy grupe, ata që quhen arvanitas, dhe ata që quhen shqipëtar, që grekët i quajnë allvani dhe kanë ardhur në Greqi pas pushtimit osmano-turk. Të paktë janë njerëzit, të cilët dinë historinë e vërtetë të arvanitëve dhe zonat në Greqi, që banohet nga popullata që gjuhën arbërore ose shqipe. Në këtë studim do të përmendim disa nga figurat më të shquara të revolucionit grek të 1821, që ishin shqiptar, disa kryeministra të Greqisë, që kishin gjak shqiptari dhe shumë figura të njohura të kulturës greke që ishin arvanitas. Janë zbuluar se në Greqi gjenden mbi 600 katunde që flasin në vatër gjuhën shqipe ose arvanitika, ku ndahen në dy grupe.
Ata që quhen arvanitas dhe janë vendas, që njihen që në kohën antike edhe janë rreth 450 katunde, dhe shqiptarët, që grekët i thërrasin allvani, që kanë ardhur në Greqi mbas pushtimit osmano-turk, dhe janë mbi 150 fshatra. Kryesisht katundet që janë banuar dhe banohen nga elementi që flet në vatër gjuhën shqipe ndodhen në zonën e Epirit, në Thrakë, në ishujt Korfuzi, Speca, Hidra, Psaron, Andron, Poleponezi (Morea) etj. Studiues që janë marrë me zbulimin e katundeve, që flitet gjuha shqipe janë arvanitas.Qëllimisht strukturat greke i kanë ndarë në dy grupe shqiptarët shtetas të Greqisë për të treguar se nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Shqiptarët me emrin Arvanitasit banojnë në zonat e të Greqisë që janë banuar në kohën antike nga Pellazgët dhe kur themi pellazgët kuptojmë stërqyshërit e shqiptarëve. Ndërsa ata që njihen me emrin Allvani, allvanos banojnë në krahinën e Çamërisë: Janinë. Gumenic, Korfuz, Artë, Prevezë etj., në kufirin e sotëm shqiptaro-grek, Bilisht-Follorinë, ku edhe atje ka disa fshatra nga Follorina e deri në qytetin e Edesa. Janë rreth 39 fshatra që dikur banoheshin dhe banohen nga Allvanosët. Ndër ta përmendim Amudhara, Argos Orestiko, Hjilliodhendron, Hjirillovon, Dhrosopigji, Fllamburon, Idhrusa, Kotori Ano, Lehovo, Niki, Tripotamos, Tropeuhos, etj. Më tej këta Allvani i kemi në kufirin greko-turk në zonën e quajtur Thraqi-Evros. Në të gjitha këto zona që përmendëm shqiptarët thirren Allvani sepse sipas dokumentave historike që njohim kanë ardhur në këto zona pas shek.XV, atëhere kur përmendet për herë të parë emërtimi SHQIPTAR. Mendoj për ndarjen e emërtimeve të shqiptarëve të Greqisë në grupe Arvanitas dhe Allvani duhet të jetë se Greqia, kur e shpalli Pavarësinë pas vitit 1821 jashtë Greqisë së sotme mbetën shumë ishuj dhe territore të tjera ndër to krahina e Çamërisë që banohej me shumicë dërrmuese nga shqiptarët ortodoksë dhe mysliman, nga qytetit i Follorinës, Edesa, Selaniku e deri në Thraqi-Evros tëcilët edhe këta qytete mbetën jashtë Greqisë për dhjetra vjeçarë. Këto qytete dhe zonat rreth tyre njiheshin si vende që ishin nën drejtimin e Turqisë. Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më nëntor 1912 shqiptarët e Greqisë që jetonin në zonat e sotme të shteti Grek dhe në ato vite ishin ende nënpushtimin turk u quajtën Allvani, Allvanos (shqiptar) dhe jo Arvanitas (arbër). Kjo besoj se duhet të jetë ndarja e emërtimeve Arvanitas dhe Allvani nga ana e grekëve, por edhe nga ë këta arvanitas dhe allvanos. Historianë të ndryshëm grekë dhe shqiptarë shpeshherë në librat e tyre i quajnë këta allvanos të Thraqi-Evros Arvanitas dhe shpeshherë allvanos. Pra, qëllimi ynë është që të njohim të vërtetën e shqiptarëve të Greqisë, ku ata jetojnë që në kohën antike, ku kanë varret e të parëve të tyre.
Studiuesit e huaj për arvanitasit
Arvanitasit e Greqisë, sipas disa studimeve të huaja dhe shqiptare, janë njohur në Greqi rreth shekullit 4-7. Por i këtij mendimi nuk janë dhe shumë historianë apo studiues të ndryshëm. Të cilët mendojnë se rrënjët shqiptare në Greqi janë më të hershme, që në kohën antike. Për këtë vërtetim ekzistojnë shumë historike, këngët, emrat e perëndive të Olimpit, emrat e qyteteve të lashta të Greqisë, që shpjegohen vetëm në gjuhën shqipe ose arvanitase.
Emri arvanitas rrjedh nga fjala Arbana, dhe fjala Arbana rrjedh nga fjala ar+ban =arbërës, njeri që tokën.. Shqiptarët parahistorik quheshin nga njerëzit e letërsisë dhe diturisë Ilir dhe më vonë Alban. Kurse këta Ilirë, dhe Alban, vetëquhen pellazgjë, arvanitas, dhe shqiptarë dhe atdheun e tyre Pellazgjia, Arbana, Shqipni, dhe kurrë nuk e kanë quajtur atdheun e tyre Iliri dhe Albani. Për herë të parë u quajtën Albani nga gjeografi i lashtë Klaud Ptolemeu, 90-160 pas Krishtit, territori midis Durrësit dhe Dibrës, dhe kjo popullsi u quajt albanian. Bota perëndimore vazhdoi të përdorte emërtimin ALBANIA, gjatë perjudhës 150-vjeçare të kryqëzatave (1096-1208), ku Durrësi u bë porti kryesor dhe rruga Egnatia u bë shtegu kryesor përmes Shqipnisë Qendrore, që të nxirrte në Kostandinopojë (Stamboll) dhe më tutje në Lindje. Në fillim të shekullit 12, normanët, në këngën e Rolandit, në gjuhën frënge, e quanin krahinën nga Durrësi në Vlorë ALBANA. Por atëhere pse arvanitasit nuk e quajnë veten e tyre shqiptar ose alban, por vetëquhen arvanitas…!? Emri shqiptar njihet rreth vitit 1400 pas Krishtit, dhe kështu arvanitasit e Greqisë, dhe Azisë së Vogël, gjithmonë janë quajtur arvanitas, dhe arnaut. Dhe të gjithë ata arbëreshë, që u larguan mbas vdekjes së Skënderbeut, e quajnë veten shqiptar. Ndoshta emërtimi arvanitas duhet të jetë më i vjetër se emri Ilir, dhe është vërtetuar se është më i vjetër se emri Alban… Sepse po të shohim qytetet e vjetra pellazgjike, ato janë ndërtuar pranë lumenjve, duke qenë afër tokave pjellore, pra arbërës. Të gjithë qytetet e Shqipërisë vërejmë që janë të ndërtuara pranë lumenjve.
Në gjuhën greke, arbanët quhen arvanitas, sepse grekët B e lexojnë V, pra njeri i atdheut Arbana. Turqit arvanitasit e Azisë së Vogël i quajnë arnaut, që rrjedh nga fjala arnavut dhe fjala arnavut rrjedh nga fjala arvanit. Kurse arvanitasit kristian otodoks të Stambollit (Kostandinopojës) dhe të Egjiptit i quajnë “romei” ose “greçi”. Megjithëse ndryshimet ndërmjet arvanitasve të Greqisë, arbëreshëve të Italisë, Zarës, Ukrainës, Korsikës dhe arbërve të Prishtinës, Tiranës, Ulqinit, Tetovës, në mënyrën e të menduarit, të shprehurit dhe të ndjenjave, ne jemi vllezër të një gjaku, të një gjuhe, të kombit të sotëm shqiptar që kemi rruajtur të gjalla pas kaq shumë shekuj lufte dhe vështirësish, traditat tona të vjetra shqiptare duke mbajtur të gjalla lidhjet shpirtërore ndërmjet njëri-tjetrit dhe zemrës Arbëri.. Studime në drejtim të arvanitasve të Greqisë janë shumë të pakta, përveç disa studiuesve seriozë të Prishtinës dhe pak të Tiranës, për të mos thënë aspak. Akademikët shqiptar nuk janë marrë shumë me arvanitët, kështu sot na mungojnë shumë materiale me vlera të mëdha historike për kombin shqiptar.

Arkivat dhe libra të autorëve grekë për arvanitasit
Arvanitët janë një realitet në shtetin e ri grek. Ata kanë luftuar në revolucionin e 1821 bashkë me grekët kundra osmanëve turq, për formimin e shtetit të ri grek, arvanitët e quajnë veten e tyre zotër të Greqisë. Hartuesit e shoqërisë greke qenë tre shqiptarë nga fshati Arvanitohori,- Pano Joani, Nikol Kristianika, Janaq Adhami. Dhjetëra vjeçarë më parë mbizotëronte pikëpamja se arvanitasit në Greqi janë një racë e ulët. Këtë gjë e besonin dhe vetë arvanitët, pasi nuk njihnin historinë e të parëve të tyre, që kanë kontribuar për krijimin e shtetit të ri grek. Për mohimin e kontributit arvanitas në krijimin e shtetit të ri grek, fillimisht u mohua raca, gjuha shqipe dhe u hodhë baltë mbi disa figura të shquara heroike të Revolucionit Grek të 1821, që ishin arvanitas, pra shqiptar, duke i quajtuar tradhtar, burgosur dhe shumë prej tyre u vranë në pabesi. Kështu, ata politikanë dhe historianë grekë, që hodhën baltë mbi disa figura të shquara arvanitase të 1821, kërkonin që të pritnin rrënjët arvanitase të ekzistencës në Greqi. Por nuk ia arritën këtij qëllimi dashakeqës, sepse jeta historike, politike dhe kulturore greke nuk ka kuptim pa ekzistencën e racës arvanitase në Greqi.
Arvanitasit heronj dhe kryeministra të Greqisë së Re
Është fakt që tashmë nuk mund të diskutohet edhe pse deri tani pjesërisht ishte fshehur që 90 ndër 100 heronjtë e Revolucionit të 1821, ishin arvanitë ose shqiptarë. Që arvanitasit mbajtën peshën kryesore të luftës Nacionalçlirimtare të 1821, përveç që ishin pjesa dërrmuese e popullit grek në periudhat e kryengritjes, mund të shpjegohet edhe nga fakti që arvanitët ishin një popull luftarak, krenaria e të cilit nuk mund të toleronte poshtrimet e skllavërisë. Revolucioni i 1821, ishte kryesisht në themel vepër e arvanitasve të Epirit, Rumelisë, Moresë dhe e arvanitasve të ishujve të Hidrës, Specas dhe Psaron.
Populli arban ose shqiptar në çdo vend të Ballkanit që u ndodh, gjithnjë luftoi për të dëbuar çdo pushtues dhe përdhosës i tokës së tij të shenjtë. Arbanët janë krijuesit e çetave të komitëve nën pushtimin turk, që ruajtën edhe traditat dhe konceptet e lashta, muzikën, vallet dhe këngën popullore të tyre. Më 1647, konsulli i Francës në Athinë, Zhan Kird, vërtetoi se “Komitat e periferisë të Athinës, Atiki aq edhe në More, janë të gjithë arvanitë”. Arbani ose shqiptari, kudo ku luftoi në Ballkan, u nderua për heroizmin e tij në Revolucionin e Aleksandër Ipsilantit në Moldavo-Vllahi. Arbanët luftuan tre shekuj më parë për lirinë e Qipros me në krye arvanitin poet Manoli Blesi, që ky poet përmendë në poezitë e tij të gjithë arvanitët e tjerë që luftuan në rrethimin e Lefkosisë. Arbanët kudo që u ndodhën, largë zemrës së atdheut amë Shqipni, nuk e harruan atë. Më 1854, Teodor Griva me një bashkim të madh arvanitas dhe djalin e tij Dhimitrin marshuan në drejtim për çlirimin e Shqipnisë, por që ky marshim dështoi me ndërhyrjen dashakeqe të fuqive perëndimore dhe në veçanti të Francës. Më 1901-1907, gjeneral Riccioti Garibaldi, djali i heroit kombëtar të Italisë, Xhuzepe Garibaldi, me rreth 1000 arbëreshë, dëshironte të zbarkonte në brigjet e Shqipnisë për çlirimin e saj nga pushtuesit turq, por këto përpjekje dështuan si pasojë e ndërhyrjes së shteteve perëndimore. Disa nga shqiptarët ose arvanitë heronjë të revolucionit të 1821 ishin, Gjeorgjio Kundurioti, Kiço Xhavella, Andoni Kryezi, Teodor (Bythgura) Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Boçari, Laskarina Bubulina, Anastas Gjirokastriti, Dhimitër Vulgari, Kostandin Kanari, Gjeorgjio (Llalla) Karaiskaqi, Odise Andruço, Andrea Miauli, Teodor Griva, Dhimitër Plaputa, Nikolao Kryezoti, Athanasio Shkurtanioti, Hasan Bellushi, Tahir Abazi, Ago Myhyrdani, Sulejman Meto, Gjeko Bei, Myrto Çali, Ago Vasiari, shumë e shumë shqiptarë të tjerë. Me të drejtë, poeti ynë kombëtar Naim Frashëri do t´u këndonte shqiptarve heronjë të revolucionit grek të 1821

Kurorëzuan mbretin e Greqisë Othon
Shqiptarve u takoi më i lartë që t´i sjellin kurorën e Greqisë mbretit të saj, Othon, sepse të tre anëtarët e komisionit që u dërguan ishin shqiptarë, Andrea Miauli, Marko Boçari dhe Dhimitër Plaputa. Revolucioni grek i 1821 është vepër në të vërtetë e arvanitëve. Bile shteti, që u krijua mbas vitit 1821 pothuajse shumica e banorëve flisnin në Greqi gjuhën shqipe. Ka qenë fama shqiptare që i ka detyruar grekët e sotëm të pranojnë fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. Për nder të trimërisë të heronjve shqiptarë, grekërit morën kostumin kombëtar shqiptar që vishej nga Kosova e deri në Poleponezi dhe e bënë të tyrin. Mirëpo, grekërit e deformuan këtë veshje të bukur, që vishej nga kombi i Arbërit, duke shtuar palët e fustanit nga 60 në 200 palë. Në xhaketë, në mengët e lira, shqiptarët nuk i fusin krahët, ndërsa grekët i fusin ato. Fustanella shqiptare është e gjatë deri 10 cm poshtë gjurit, ndërsa grekërit e shkurtojnë sa më shumë, sa mbulon vetëm prapanicën. Arvanitët, këta luftëtarë trima, heronjë të Revolucionit të 1821, jo vetëm me armët e tyre luftuan për pavarësinë e Greqisë, por ishin kryetarët e parë të shtetit të ri grek, që drejtuan Greqinë drejtë ndërtimit të jetës evropiane.

Kryeministra dhe ministra të rëndësishëm
Në vitin 1850, Andoni Kryeziu kur ishte kryeministër, shpalli Kishën Autoqefale Greke, duke e shkëputur përgjithmonë nga vartësia e Fanarit të Stambollit. Kur arvaniti Dhimitër Vulgari ishte kryeministër i Greqisë, u bë e mundur bashkimi i shtatë ishujve me Greqinë. Kryeministri Dhimitër Vulgari mbështeti fuqishëm kryengritjen e ishullit të Kretës për t´u bashkuar me Greqinë. Gjenerali Teodor Pangallo kur ishte President i Greqisë (1925-1926) u arritën shumë marrëveshje të rëndësishme në fushën e politikës dhe kulturës me Shqipërinë. Më 1926, arvaniti Teodor Pangallo gjyshi i ish-ministrit të Jashtëm dhe i Kulturës greke më 1997-2000, me të njëjtin emër Teodor Pangallos. Kur ishte president i Greqisë më 1925-1926, bëri një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve në Gjenevë: “Republika Greke njihte minoritetin shqiptarë që jetonte në Greqi, dhe nuk i konsideronte më shqiptarët muhamedanë popullsi turke. Dhe se teza që ortodoksit shqiptarë janë grekë, që është përkrahur deri më sot nga ne, është e gabuar dhe është hedhur poshtë nga të gjithë ne. Pasi ajo mori të tatëpjetën dhe arriti pikën që s´mbante më, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë ‘vorioepiriote, që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mentaliteti të sëmurë”. Kjo pjesë e deklaratës së ish-presidentit grek me gjak shqiptari 1925-1926, Teodor Pangallo, në Lidhjen e Kombeve, është botuar në periudhën e provokimeve të gushtit 1949, në gazetën “Akropolis” dhe është ribotuar në vitin 1974, në librin “Përmbledhje e Teodor Pangallo” vëllimi i dytë 1925-1952, faqe 111-115. Kur ishte president Teodor Pangallos, marrëdhënit midis dy shteteve 1925-1926, ishin më të mirat e deritanishme. U hoq kufiri midis dy fqinjve, shumë djem shqiptarë studiuan falas në shkollat e Athinës, bashkëpunimi tregtar ishte i suksesshëm etj. Arvanitas të tjerë që u bënë kryeministra të Greqisë kemi; Gjeorgjio Kundurioti, Andoni Kryeziu, Athanasio Miauli, Dhimitër Qiriako, Emanuil Repili, Pavlo Kundurioti, Aleksandër Koriziu, Petro Vulgari, Aleksandër Diomidi, Kiço Xhavella etj.

Ndërtuesit dhe themeluesit e Akademisë së Athinës
Për krijimin e shtetit të ri grek, shqiptarët ose arvanitët kanë kontribuar në të gjitha drejtimet për ecurinë përpara të Greqisë. Arvanitët ishin profesorët e parë që themeluan Akademinë e Athinës. Dhe investuesi i ndërtesës së Akademisë së Athinës ishte shqiptar.
Që në vitet e para të Revolucionit të 1821, luftëtarët e lirisë kishin dëshirë të themelonin Akademinë, sepse besonin se arma më e fuqishme ndër të gjitha ishte ndriçimi i trurit, pra Universiteti, Akademia, me pak fjalë arsimimi. U bënë shumë përpjekje për të hapur Akademinë, por dështuan. Vetëm në vitin 1926, ministri i atëhershëm i Arsimit, Dhimitër Egjiniti, arvanitas nga Egjina, raportoi dhe u botuan Urdhëresat Kryesore më 18 mars 1925 dhe bëhej realitet Akademia e Athinës me pamjen e brendshme dhe misionin e sotëm. Ndërtesa, ku strehohet Akademia, ka një histori interesante, sepse ndërtesa u financua nga një shqiptar prej Voskopoje. Më 1856, tregtari tepër i pasur nga Voskopoja e Korçës, në Vjenë të Austrisë, Simon Sina, dëshironte t´i bënte një dhuratë të madhe Greqisë, brenda në Athinë. Simon Sina, ishte djali i Gjergj Sinës, ish-konsull i Përgjithshëm në vitin 1834 i qeverisë greke në Austri. Familja Sina ishin me origjinë nga Bithkuqi (sot Vithkuq) i Korçës, por që andej ishin ngulur në Voskopojë dhe më vonë u vendosën në Vjenë. Sinajt u morën në fillim me zhvillimin e tregtisë midis Austrisë dhe Perandorisë Otomane. Më vonë themeluan fabrika të penjëve dhe të stofave të pambukta. Themeluan Bankën Kombëtare të Austrisë. Familja Sina bënë shumë dhurata bamirësie, midis të cilave urën e varur të Budapestit, e cila kushtoi atëherë 500 mijë stërlina angleze. Gjergj Sina ishte nënpresident i Bankës Austriake, president i shoqërisë së hekurudhave në Austri, pronar tokash në Austri, Bohemi, Moldavi, Rumani, Serbi etj. Sinajt janë dekoruar nga qeveritë ruse, turke, greke për bamirësitë e tyre në këto vende. Gjergj Sina vdiq më 18 maj 1856. Kështu që, djali tij, Simon Sina ndoqi gjurmët e të atit, duke bërë edhe ky dhurata të mëdha bamirësie. Sinajt nuk harruan kurrë atdheun e tyre Shqipërinë. Ata dërguan shumë bij shqiptarësh me bursa në Universitetet e Evropës. Më 1859, filluan punimet e para, më 15 prill 1876, Simon Sina vdes duke lënë trashëgimtar vetëm dy vajza dhe, në bazë të testamentit të tij, e vazhdoi dhe e mbaroi veprën gruaja e tij, Ifigjenia Sina më 1885. Kështu, hapja e Akademisë së Athinës u dedikohet, pra, dy arvanitasve të vërtetë, Teodor Pangallo, që ishte atëherë në brendësi të punimeve, dhe arvaniti tjetër Dhimitri Egjiniti, që ishte atëherë ministër i Arsimit. Disa nga akademikët, që ishin arvanitas janë; Dhimitër Egjiniti, Angjelo Gjini, Sotiri Shqipi, Spiridon Doda, Vasil Egjiniti, Gjergj Sotiriu, Kostandin Horemi, Aleksandër Diomidhi, Maksim Miçopulos, Vasil Malamo, Dhimitri Kaburoglu, Teofil Vorea…

Arvanitas të shquar në Greqi

* Udhëheqës të revolucionit
Kiço Xhavella
Teodor Kollokotroni
Marko Boçari
Laskarina Bubulina
* Kryeministra
Andoni Kryeziu
Dhimitër Vulgari
Gjeorgjio Kundurioti
Athanasio Miauli
Dhimitër Qiriako
Emanuil Repili
Pavlo Kundurioti
Aleksandër Koriziu
Petro Vulgari
Aleksandër Diomidi
Kiço Xhavella
Teodor Pangalos president 1925-1926
Teodor Pangalos ministër i Jashtëm 1997-2000

Dhimitër Vulgari

 


Gjeorgjio Kundurioti


Allvanosët e Thraqi-Evros greke.
Për disa kohë kemi folur për kontributin e Arvanitasve në themelimin e shtetit modern grek, ndërsa sot do të shkruajmë për Allvanosët e Thraqi-Evros greke, për grupin e njohur nga marrëveshja e Lozanës më 1923 si minoritet shqiptar me të drejtat të plota në mësimin në shkolla fillore në gjuhën e mëmës së tyre shqipe. Por për dhjetëra vjeçar shteti shqiptar nuk u interesua asnjëherë për të drejtat e tyre të njohura me ligj nga marrëveshja e Lozanës. Shteti grek tregoi një racizëm të egër duke i izoluar dhe duke shtypur të drejtat e tyre të parashikuar në marrëveshjen në fjalë. Duke jetuar për disa vite në Greqi dhe duke u marrë më çështjen e shqiptarëve të Greqisë pata rastin të njoh Allvanosët e Thraqi-Evros, të bëhemi miq dhe bashkë me disa prej tyre në të vitit 2004 të vizitojmë Kosovën. Në zonën e Thraqi-Evros janë rreth 26 fshatra që banohen me shumicë nga grekët me origjinë shqiptare që mund t'i kalojë 40.000 mijë banorë. Emrat e fshatrave të sotëm janë: Altintas, Erasmjo, Feresi, Ifestos, Ipsante, Jemisti, Kavilli, Kipseli, Madrica, Marasja, Mavroklisi, Mega Kranovunion, Megalo Zaloufi, Mellisa, Mesokorion, Mikro Kranovunion, Nea Bisha, Neon Hieimonion, Paradhimi, Pepllos, Poron, Qipi, Sakos, Tiqero.Me vëllezërit shqiptar nga Tiqeroja më ka njohur miku im i ndieri Aristidh Kola, i cili më dha numrin e tel. të një allvanosi nga Tiqero z.Kosta Kazaqit dhe kështu u ngrit një urë e re lidhje midis nesh. Kosta Kazaqi është njëri nga mbledhësit e dokumentave për shqiptarët e Tiqeros dhe prefekturës së Evros. Tiqeroja deri në vitin 1922 përbëhej nga banorë turq që fshatin e tyre e quanin Bintikli. Me përfundimin e luftës greko-turke të 1920-1922, u nënshkrua marrëveshja e Lozanës dhe u bë shkëmbimi i popullsive midis Turqisë dhe Greqisë, por ky shkëmbim nuk u bë në aspektin kombëtar, por në aspektin fetar. Pra shkëmbim midis qytetarëve të fesë myslimane dhe të krishterë. Nga këto shkëmbime u dëmtua shumë popullsia shqiptare që jetonte në Turqi dhe Greqi. Është fakt që mijëra shqiptarë mysliman u larguan me forcë nga Çamëria dhe u dërguan në Turqi, po ashtu mijëra shqiptarë që banonin në territorin e sotëm të Greqisë nga Edesa e deri në Evro lanë varret e të parëve dhe shtëpitë e tyre për tu depërtuar edhe ata në Turqi. Kështu qeveria greke pastroi disa zona nga shqiptarët mysliman. Ndërsa Turqia përzuri si popullsi shkëmbyese greke edhe shqiptarë ortodoksë që banonin nga Stambolli e deri në kufirin e sotëm të Evros. Shqiptarët ortodoksë të Turqisë kur erdhën në Greqi nuk u njohën nga shteti grek si shqiptar, por si grekë. Pra kësaj kategorie i përkasin grekët me origjinë shqiptare ose Allvanosët e Thraqi-Evros. Duhet të përmendim se pikërisht edhe Fan Noli ishte nga një fshat që banohej nga ortodoks shqiptar, por që i përkiste deri në vitin 1922 Turqisë dhe më vonë këta banorë braktisën fshatin e tyre Ibrik-Tepe që e quanin QYTEZA edhe u ngulën përfundimisht në Tiqero. Në Ibrik-Tepe sipas burimeve historike ka patur më 1876, 3.550 banorë, më 1905 2.320, ndërsa sot banorët e Ibrik-Tepe që u ngulën në Tiqero janë rreth 2.500 banorë, ku 90% janë grek me origjinë shqiptare. Sipas mikut tim Kosta Kazaqit në vitin 1954 fshati e mori emrin Tiqero. Gojëdhënat thonë se më 1924 ish-Kryeministri grek Elefterios Venizelos bëri një ndalesë në fshat edhe që atëherë ka sjellë mbarësi. Kështu në vitin 1954 fshati u quajt Tiqero që në shqip do të thotë: Fatmirë, Fatmbarë. Në fillim të viteve 1980 Tiqeroja bashkë me fshatin tjetër Filaktu themeluan Bashkinë me emrin Tiqero që i përket Prefekturës së Evros.
Me të moshuarit në Tiqero
Në Tiqero po të shkosh për vizitë do të dëgjosh të moshuarit të bisedojnë midis tyre në gjuhën shqipe. Ata thonë se rrënjët e para i kanë nga Kolonja, Vithkuqi, Qafzezi, Qyteza, Voskopoja, Gostivishti etj., të ardhur rreth shek.XVI-XVIII në zonën e Thraqi-Evros që atëhere ishte në perandorinë Osmane. Mendimet e disa studiuesve si Aristidh Kola, Kosta Kazaqi dhe Evangjeliso Gr. Avdhikos shkruajnë se këta allvanos kanë ardhur në Thraqi të ftuar nga Sulltan Selimi, kur donte të ndërtonte një xhami më të madhe se ajo e Mekës e cila kishte 1000 dritare. Ato vite vezir i Sulltanit ishte shqiptari Mehmet Sokoli që ia besoi arkitekturën shqiptarit tjetër Sinanit i cili në ndërtimin e xhamisë morri mjeshtërit shqiptarë nga Kolonja, Korça Devolli etj. Xhamia u ndërtuar në Ederne me 999 dritare. Sulltani i mahnitur nga bukuria e saj pyeti vezirin se çfarë dëshire kanë ndërtuesit. Mjeshtërit kërkuan që të mbeteshin me familjet e tyre në Thrakë. Por i këtij mendimi nuk është Fan Noli i cili shkruan se shqiptarët në Thrakë njihen që nga koha e Bizantit të cilët kishin mbetur aty bashkë me familjet e tyre. Për shqiptarët (allvanosët) e Thrakës kanë shkruajtur Thimi Mitko, De Rada, Sami Frashëri. Më 1910 këto fshatra i ka vizituar Mit'hat Frashëri. Si do që të jetë e vërteta për ardhjen e shqiptarëve në zonën e Thraqi-Evros, ne kemi të bëjmë me një fakt të vërtetë historik që sot kjo zonë banohet nga grek me origjinë shqiptare që ende falsin gjuhën shqipe dhe kërkojnë që gjuha e të parëve të tyre të mos humbasë, të mos jetë një atdhe i humbur nga kanë ardhur. Ata janë shprehur disa herë nëpërmjet shtypit dhe televizioneve shqiptare për kujdesen që duhet të tregojë shteti grek që i përkasin sot, por edhe nga shteti mëmë Shqipëri për hapjen e shkollave në gjuhën amtare shqipe në Bashkinë e Tiqeros ashtu si të drejtat e shkollimit që gëzon në Shqipëri minoriteti grek dhe të tjerët.
Në Thraqi-Evro mes të afërmve të Nolit
Në 28 nëntor të vitit 1999 në festën e ditës së pavarësisë organizuar nga Konsullata e Përgjithshme Shqiptare në qytetin e Selanikut miku im Foto Malo më njohu me një greke që ishte nga Tiqeroja dhe e fliste gjuhën shqipe shumë pastër. Ajo më tha që ishte kushërira e Fan Nolit, quhej Maria Kutulidhi dhe mëma e saj ishte kushërirë e parë e Nolit. Që atëherë midis familjes time dhe familjes Kutulidhi lidhëm një miqësi qe vazhdojmë ta ruajmë edhe sot. Maria më tregoi kujtimet e saja për fshatin Tiqero, për shqiptarët se si u shpërngulën nga Ibrik-Tepe dhe erdhën në Tiqero. Më foli për historitë e Fan Nolit që i kishte treguar mëma e saj. Një herë kur Fan Noli nuk dëshironte të shkonte në shkollë gjyshja e tij e futi në thes duke e mbajtur në krah dhe e dërgoi në shkollë. Më tregoi për zënkën e Nolit me të atin e tij dhe që nuk folëm më me njëri-tjetrin. Më 19 mars 2000 në Selanik u përkujtua 35 vjetori i vdekjes së Fan Nolit, shoqata “Shqiptarët e Selanikut”, ku isha sekretar i përgjithshëm i saj organizoi një aktivitet kulturor për të kujtuar jetën dhe veprën e këtij atdhetari të madh. Në këtë aktivitet midis shumë të ftuarve ishte edhe zonja Maria Kutulidhi bashkë me bashkëshortin e saj z.Joani të cilët me lot në sy, nga çastet prekëse, falënderuan të pranishmit dhe organizatorët e këtij aktivitetit për nder të dajës së saj, urat Fan Nolit. Në këtë aktivitet midis shumë gjërave që u kujtuan për Fan Nolin doli qartë se në Greqi ka ende grek me origjinë shqiptare dhe e pohojnë origjinën e tyre kur u jepet mundësia. Me Kosta Kazaqin kam shumë kujtime, ai është një mbledhës i dokumentave për Allvanosët e Evros. Kosta më ka afruar materiale për jetën dhe kulturën e Allvanosëve ndër to përmend një dorëshkrim i kishës së Tiqeros prej 85 faqesh ku flitet për historinë e Fan Nolit dhe familjes së tij. Kosta Kazaqi gjithnjë më shprehte dëshirën për të vizituar Kosovën edhe për të gjetur një nuse që ta sjellë në Tiqero.
Në shtator të vitit 2004 me ftesë së Ministrisë së Kulturë së Kosovës një grup prej rreth 25 vetash grek me origjinë shqiptare si arvanitas dhe allvanos për një javë qëndruan për vizitë në Kosovë. Midis të ftuarve ishte edhe miku im Kosta Kazaqi i cili mbeti shumë i kënaqur nga pritja që ju bë në Kosovë, nga vizitat që bëmë në Prishtinë, Prizren, Skenderaj etj.
Dhimbje për ruajtjen e
gjuhës amtare shqipe
Kur u vendosën në fshatrat e rinj në tokën greke pas vitit 1922 Allvanosët apo Arvanitasit siç i quajnë shpeshherë grekët shqiptarët që u shpërngulën nga Turqia për në Greqi nuk kishin marrëdhënie të mira me fshatrat fqinjë që banoheshin nga grekët. Ata nuk merrnin dhe as jepnin nuse për njeri-tjetrin. Të moshuarit kujtojnë që kur thirreshin në shkollë nga mësuesit për ecurinë e fëmijëve të tyre ata këshilloheshin që mos të flisnin përpara fëmijëve në gjuhën shqipe, por të bisedonin vetëm greqisht. Sipas mësuesve grek kjo bëhej për të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre që vinin nga familjet shqiptare. Shpeshherë fëmijët shqiptar ziheshin me grushta e dru me fëmijët grekë kur këta të fundit e quanin gjuhën shqipe gjuhë evgjite apo gjuhë turke. Disa të dhëna rreth problemeve midis allvanosëve dhe grekëve që janë nga fshatrat fqinjë me njëri-tjetrin na sjellë historiani grek Evagjelos Gr. Avdhikos i cili në vitin 1998 ka botuar një libër me titull “Nga Marica në Evro” ai na sjellë të dhëna historike dhe kulturore mbi popullsinë Allvanose, që i quan arvanitas (në vazhdim edhe ne do të përdorim emërtimin arvanitas për allvanosët e Tiqeros për të ruajtur mendimin e tij, shën. A.Llalla) dhe banojnë në fshatin Tiqero edhe grekët që banojnë në fshatin Filaktu. Tiqeroja banohet 90% nga allvanosët të ardhur nga Ibrik-Tepe dhe Sulltanqoi, por ka edhe një pakicë popullsi greke. Ndërsa Filaktu banohet nga grekë të ardhur nga Turqia ose Thraqi Lindor. Këto dy fshatra kanë themeluar në vitin 1986 Bashkinë e Tiqeros.
Ende sot në Tiqero midis allvanosëve ekzistojnë dy mendime, njëri është mendimi i të vjetërve që duan të ruajnë prejardhjen e tyre shqiptare dhe e dyta janë të rinjtë që duan të jenë qytetarë të denjë të kombit grek. Arvanitasit dhe allvanosët pavarësisht se si i thërrasin grekët apo i emërtojnë nëpër librat e tyre të historisë kanë të përbashkët gjuhën, kulturën, i përkasin një fisi që njihen sot me emrin shqiptar. Kanë ruajtur në kujtesën e tyre dashurinë për historinë tyre, krenohen me trimëritë e Skënderbeut. Prandaj duhet të kujdesemi dhe të regjistrojmë të dhënat e tyre historike-kulturore sepse janë vlera të ruajtura me fanatizëm edhe pse në kushtet e shtypjes së politikës keqdashëse shtetërore greke.

 
Arben Llalla

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

No comments yet.

Dergoni nje Koment

You must be logged in to post a comment.